“Bleona Mata është gjallë”, avokati lëshon deklaratën e fortë
“Është studente ekselente, e birësuar nga një çift grek”
Rasti i Bleona Matës, e zhdukur prej vitesh, është rikthyer në vëmendje pas deklaratave të avokatit Alban Duraj, i cili foli për zhvillime të reja gjatë një lidhjeje në emisionin “Breaking me Fiori Dardha”, në Top News.
Duraj bëri të ditur se, në komunikimin e fundit me Bukurie Matën, nëna e Bleonës i kishte thënë se janë pranë gjetjes së vajzës. Sipas avokatit, ajo i ka treguar se Bleona ndodhet në një nga vendet e Bashkimit Europian, ku është studente ekselente dhe është birësuar nga një çift grek.
Avokati sqaroi se informacioni i është përcjellë nga vetë Bukurie Mata, e cila nuk i ka dhënë detaje të tjera për momentin.
“Jemi shumë afër gjetjes së Bleona Matës”, tha Duraj, duke iu referuar bisedës me nënën e saj në fund të qershorit ose në fillim të korrikut.
Sipas tij, përpjekjet për identifikimin e vendndodhjes së Bleonës janë mbështetur edhe financiarisht nga qytetarët shqiptarë, pas një thirrjeje publike për mbledhjen e fondeve. Bukurie Mata, sipas avokatit, ka përdorur një pjesë të konsiderueshme të shumës së mbledhur, duke shtuar edhe para nga të ardhurat e saj, për të angazhuar një agjenci që merret me investigimin e personave të zhdukur.
Duraj nuk dha prova apo dokumentacion që të konfirmojë publikisht informacionin mbi vendndodhjen, studimet apo birësimin e Bleonës. Të dhënat e bëra publike në emision mbeten, për momentin, deklarime të avokatit mbi komunikimin e tij me Bukurie Matën.
Gjatë bisedës, avokati u shpreh gjithashtu se nëna e Bleonës synon të kërkojë përgjegjësi për personat që mund të kenë ndihmuar në zhdukjen e vajzës, si dhe për zyrtarët që, sipas saj, mund të kenë vepruar ose mosvepruar në zbardhjen e çështjes.
Ai paralajmëroi se, pas një takimi të mundshëm me Bleonën, do të ndiqen edhe rrugët ligjore, përfshirë një kërkesë drejtuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për hetimin e çështjes
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



