E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘E kam parë me sytë e mi’, rrëfimi i ri që hap pista të reja për fatin e Bleona Matës
Lajme

‘E kam parë me sytë e mi’, rrëfimi i ri që hap pista të reja për fatin e Bleona Matës

Gati 16 vite pas zhdukjes së mistershme të Bleona Matës, një zhvillim i ri ka rikthyer vëmendjen mbi një nga rastet më të errëta të humbjes së një fëmije në Shqipëri. Një dëshmi e mbërritur së fundmi në redaksinë e emisionit “Pa Gjurmë” hedh dyshime serioze mbi atë që mund të ketë ndodhur me vogëlushen pas datës 22 maj 2010, ditë kur ajo u zhduk në malin Pikëllim, pranë fshatit Zapod në Kukës.

Dëshmitari, në një bisedë të gjatë telefonike me gazetaren Odeta Dume, ka ndarë informacione që, sipas tij, lidhen drejtpërdrejt me lëvizjet e Bleonës pas zhdukjes. Ai flet për persona të afërt me familjen, për zhvendosje të dyshimta dhe për një periudhë kur vajza dyshohet se është mbajtur e izoluar larg zonës ku u humb.

“Unë kam informacion konkret për Bleona Matën. Vajzën e kanë marrë njerëz të afërt të familjes dhe e kanë çuar fillimisht në Llakatund. Më pas, për rreth tre muaj, e kanë mbajtur në fshatin Picar të Vlorës”, deklaron ai.

Sipas rrëfimit, Bleona është marrë nga një çift, për të cilin dëshmitari pretendon se e ka mbajtur të mbyllur dhe të shkëputur nga kontakti me të tjerët. Ai shton se situata ndryshoi pasi rasti mori vëmendje të gjerë mediatike në emisionin “Njerëz të Humbur” në atë kohë.

“E kam parë me sytë e mi. E kemi njohur edhe nga pamjet që u transmetuan në televizion. Kur rasti u bë publik, mendoj se nga frika e larguan nga fshati. Dyshoj se e kanë dërguar në Greqi, sepse ajo familje kishte jetuar edhe më parë atje”, vijon dëshmitari.

Megjithëse këto deklarata nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet, dëshmia vjen si një rrëfim i drejtpërdrejtë nga një banor i zonës dhe përbën një pistë të re që kërkon verifikim të thelluar.

Zhdukja e Bleona Matës vazhdon të mbetet një plagë e hapur për opinionin publik. Vetëm 6 vjeçe në momentin e humbjes, ajo u zhduk pa lënë asnjë gjurmë, ndërsa kërkimet në malin Pikëllim dhe hetimet e mëvonshme nuk arritën kurrë të zbardhin fatin e saj.

Emisioni “Pa Gjurmë” ka bërë të ditur se do të vijojë ndjekjen e çdo informacioni të ri dhe verifikimin e kësaj dëshmie, me shpresën për të hedhur dritë mbi një nga rastet më të pazbardhura të zhdukjes së një fëmije në vend.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.