E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Idajet Beqiri rrëzon deklaratën e kolegut për Bleona Matën
Lajme

Idajet Beqiri rrëzon deklaratën e kolegut për Bleona Matën

Avokati Idajet Beqiri hedh poshtë deklaratën se Bleona Mata është gjetur në një vend të BE-së, ku jeton me prindërit adoptues grekë. Ai e cilëson pretendimin të papërgjegjshëm dhe thotë se deklarata të tilla rëndojnë familjen dhe shpërqendrojnë hetimet.

Deklarata e avokatit Alban Duraj se Bleona Mata është gjetur dhe jeton në një vend të Bashkimit Europian me prindërit e saj adoptues, një çift grek, është kundërshtuar nga avokati i familjes Mata, Idajet Beqiri.

Në një reagim për Top Channel, Beqiri e cilësoi deklaratën të papërgjegjshme, duke theksuar se Alban Duraj nuk ka lidhje me çështjen. Sipas tij, pretendime të tilla mund të ndikojnë në drejtimin e hetimeve dhe të shkaktojnë dhimbje të panevojshme për familjarët e Bleonës.

“Jo vetëm që është e papërgjegjshme, por krijon probleme ligjore, e hedh organin e akuzës në një drejtim që nuk duhet të shkojë. Gjithashtu ka probleme të rënda me familjen, nënën e Bleonës, njerëzit e tjerë të dashur, vëllain e saj. Ua ngacmon plagën padrejtësisht. Ky person nuk ka lidhje, nuk e di pse është futur këtu”, u shpreh Beqiri.

Avokati u ndal edhe te reagimi i nënës së Bleonës, Bukurie Mata, duke thënë se ajo është përballur ndër vite me pretendime dhe teori të ndryshme për fatin e vajzës së saj, përfshirë aludime se është martuar apo është adoptuar.

“Dikush thotë është martuar këtu, dikush e gjetëm këtu, dikush thotë është adoptuar. Ka plot teori. Me dhimbje i pret të gjitha, edhe këtë deklaratë, por e di që është një gënjeshtër, mashtrim i madh”, deklaroi Beqiri.

I pyetur nëse kishte informacion për vajzën që përmendi Alban Duraj, avokati i familjes Mata e cilësoi deklaratën një “sajesë të turpshme”, duke shtuar se, sipas tij, pretendime të tilla mund të përbëjnë edhe vepër penale.

“Madje është vepër penale. Nuk dua të flas shumë për të, komuniteti ynë ka lloj-lloj njerëzish. U bë vetting gjithandej, por duhet bërë dhe brenda avokatëve. Çfarë nuk po dëgjojmë”, u shpreh ai.

Beqiri: Çështja e Bleona Matës është e pezulluar

Në vijim, Beqiri deklaroi se hetimet për rastin e Bleona Matës ndodhen në një drejtim tjetër dhe se deklaratat e tilla, sipas tij, vetëm shpërqendrojnë vëmendjen nga çështja.

Ai kritikoi mënyrën se si është trajtuar dosja ndër vite, duke përmendur kalimin e saj mes Prokurorisë së Kukësit, Policisë dhe SPAK-ut. Sipas avokatit, aktualisht nuk ka zhvillime konkrete që ta çojnë hetimin drejt zbardhjes së rastit.

“Është si puna e kungulleshkës, një erë e merr çështjen Prokuroria e Kukësit dhe e ndalon, e dërgon te Policia. Kjo e merr dhe e kthen sërish te Prokuroria që më pas ia dërgon SPAK. SPAK nuk bën gjë. Momentalisht është çështje e ‘vdekur’, është e pezulluar, nuk ka ndonjë gjë konkrete në drejtimin e duhur”, deklaroi Beqiri.

Avokati e cilësoi situatën një fatkeqësi, duke theksuar se kanë kaluar 16 vite nga zhdukja e Bleona Matës dhe se, pavarësisht kohës së gjatë, sipas tij, çështja ende nuk ka marrë drejtimin e duhur.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.