Bllokohet rruga nacionale Pukë–Fushë Arrëz
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë qarkun e Shkodrës gjatë gjithë natës kanë shkaktuar probleme në disa zona malore, kryesisht në Pukë dhe Fushë Arrëz, ku janë raportuar rrëshqitje dherash, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile ndodhen në terren për pastrimin e akseve rrugore dhe rikthimin e energjisë në zonat e prekura.
Bashkia Shkodër
Në territorin e bashkisë ka pasur reshje të vazhdueshme, por pa problematika të mëdha. Përjashtim bën rruga Kir–Shosh, e bllokuar në vendin e quajtur Dardha e Shoshit pas rënies së gurëve. Ekipet e ndërhyrjes po punojnë për zhbllokimin e segmentit.
Bashkia Malësi e Madhe
Nuk janë raportuar dëmtime apo përmbytje. Strukturat e emergjencave janë në gatishmëri dhe po monitorojnë situatën.
Bashkia Vau Dejës
Situata është nën kontroll, por po vijon verifikimi i banesave që u përmbytën gjatë ditës së djeshme për të evidentuar dëmet e mundshme.
Bashkia Pukë
Në disa njësi administrative, si Rrapë dhe Gjegjan, janë dëmtuar rrugët lidhëse të fshatrave, ndërsa rruga nacionale Pukë–Fushë Arrëz mbetet e bllokuar në Qafën e Batres, për shkak të rrëshqitjes së një masivi dheu.
Në disa fshatra si Gjegjan, Dom, Rras, Kuzhnen dhe Gojan i Vogël, energjia elektrike është ndërprerë që prej natës, por po punohet për riparimin e linjave.
Bashkia Fushë Arrëz
Është një nga zonat më të prekura. Të gjitha rrugët rurale janë dëmtuar nga rrëshqitjet e dherave dhe rëniet e gurëve, ndërsa në njësitë Iballë, Qafë-Mali dhe Blerim është ndërprerë energjia elektrike. Janë raportuar gjithashtu dëmtime në rrjetin e ujësjellësit.
Dy fadroma po punojnë për hapjen e aksit kryesor Pukë–Fushë Arrëz, që është bllokuar në disa pika.
Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë
Sipas matjeve, gjatë natës kanë rënë rreth 40 mm shi. Deri tani nuk janë konstatuar dëmtime në argjinatura apo në digën e rezervuarit Shtoder.
Nivelet e lumenjve Buna dhe Drin mbeten poshtë kuotave kritike, ndërsa lumi Kir ka pasur prurje të larta, por pa shkaktuar dëme.
Reshjet kanë vijuar me intensitet mesatar deri të lartë edhe në orët e mëngjesit, ndërsa situata është nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat e emergjencave civile.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



