E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Brahos i kërkojnë emrat e takimit të Arubas, reagimi i kreut të SPAK
Lajme

Brahos i kërkojnë emrat e takimit të Arubas, reagimi i kreut të SPAK

“Kur të përfundojnë hetimet, mund të bëjmë transparencë”

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Klodian Braho, ka deklaruar se çdo detaj mbi dosjen “Aruba” do të bëhet publik vetëm pasi të përfundojnë hetimet, duke theksuar se aktualisht çështja është në proces verifikimi dhe trajtimi nga organet kompetente.

I pranishëm në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Braho iu përgjigj interesit të deputetit Ivi Kaso, i cili ngriti shqetësimin për transparencën e kësaj dosjeje dhe kërkoi që të bëhen publike emrat e zyrtarëve të lartë që dyshohet se janë takuar me eksponentë të krimit të organizuar në Aruba.

Gjatë diskutimit, Kaso vuri në dukje se bëhet fjalë për një çështje me interes të lartë publik, duke theksuar rëndësinë e informimit të qytetarëve mbi identitetin e personave të përfshirë në këto takime të dyshuara.

Nga ana e tij, Braho theksoi se SPAK nuk mund të japë detaje të pjesshme gjatë një hetimi në zhvillim dhe se çdo provë e administruar trajtohet sipas procedurave ligjore, pa u ndikuar nga presioni apo komentet politike.

Pjesë nga biseda:

Ivi Kaso: “Duke u ndalur te dosja Aruba, predispozohet se ka një takim me persona të krimit të organizuar me zyrtarë të lartë shqiptare. Ju shqetëson fakti që ka rrjedhur kjo dosje? A mendoni që keni një detyrim për shqiptarët, për të treguar se kush kanë qenë këta politikanë në takim, që kanë bërë plazh në janar, me apo pa mandat kryeministri, qoftë nga opozita e qoftë nga mazhoranca.”

Klodian Braho: “Është një çështje nën hetim. Nuk mund të ndodhë që SPAK të ketë një provë në një dosje dhe ajo të lihet aty në gjumë e të mos hetohet. Tjetër gjë mund të thuhet, por këto janë hamendësime, opinione. Kur të përfundojnë hetimet, institucioni mund të bëjë transparencë. Nuk i merremi me komentet politike, të asnjë pale.”

Çështja “Aruba” mbetet një nga temat më të ndjeshme në diskursin publik dhe politik, ndërsa pritet që përfundimi i hetimeve të sjellë më shumë qartësi mbi akuzat dhe personat e përfshirë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.