Ekstradohet nga Kolumbia “Kimisti” i Frakullit
Policia e Shtetit ka çuar përpara me sukses dy faza të tjera të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e Interpol-it në Kolumbi dhe Itali, duke sjellë në Shqipëri dy persona të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale.
Një prej të ekstraduarve është shtetasi kolumbian Saimir Rosales Rodriguez, i njohur me pseudonimin “Kimisti”. Ai është dërguar nga Kolumbia drejt vendit tonë për të vuajtur një dënim me 14 vite burg, të dhënë nga Gjykata e Posaçme, pas hetimeve të zhvilluara nga SPAK lidhur me laboratorin e kokainës të zbuluar në zonën e Frakullës.
Sipas autoriteteve, ai ka qenë i përfshirë në një rrjet të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Hetimet kanë dokumentuar rolin e tij në shoqërimin e një ngarkese të dyshuar me drogë, e cila kishte nisur nga porti i Buenaventurës në Kolumbi, kishte kaluar përmes Greqisë dhe Malit të Zi dhe kishte si destinacion final Shqipërinë.
Ndërkohë, në kuadër të të njëjtit operacion, nga Italia është ekstraduar edhe shtetasi shqiptar Fadil Ternova, 38 vjeç, lindur në Bulqizë. Ai kërkohej nga drejtësia shqiptare për disa vepra penale, përfshirë tentativë vrasjeje me armë zjarri.
Sipas dosjes hetimore, në vitin 2024, në aksin rrugor Bulqizë–Tiranë, Ternova dyshohet se ka tentuar të vrasë një person pas një konflikti për motive të dobëta. Përveç kësaj, ai akuzohet edhe për mbajtje pa leje të armëve, kundërshtim të punonjësve të policisë dhe dhunë për shkak të detyrës, vepra të kryera në periudha të ndryshme kohore.
Autoritetet shqiptare theksojnë se këto ekstradime janë rezultat i një bashkëpunimi të vazhdueshëm dhe efektiv me partnerët ndërkombëtarë, si dhe i shkëmbimit të shpejtë të informacionit operacional. Operacioni “The Wanted” mbetet një nga aksionet më të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



