Policia e Shtetit ka gjobitur 165 shtetas në të gjithë vendin, pasi nuk kanë respektuar oraret kufizuese të qarkullimit.
Mësohet se pas kontrollit të kryer, ata janë ndëshkuar me me vlerën 10.000 lekë.
Kujtojmë që ditën e sotme ka hyrë në fuqi urdhri i kryeministrit Edi Rama për të lejuar qarkullimin e këmbësorëve vetëm në oraret 06:00-10:00 dhe 16:00-18:00.
Njoftimi i Policisë:
Respektimi i masave kufizuese, në të mirë të vetes dhe të njerëzve përreth.
Në zbatim të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në të gjithë territorin e vendit, shërbimet e Policisë së Shtetit kanë ushtruar dhe vijojnë të ushtrojnë kontrolle për zbatimin e një prej masave kufizuese, asaj të kufizimit të daljes vetëm në fashat orare 06:00 – 10:00 dhe 16:00 –18:00, për të gjithë qytetarët.
Në të gjithë vendin, prej orës 10:00 deri në këto momente janë ndëshkuar me masë administrative me vlerën 10.000 lekë secila, 165 shtetas, të cilët nuk kanë respektuar oraret kufizuese.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që secili të kontribuojë për të parandaluar përhapjen e COVID-19, duke respektuar me rigorozitet masat kufizuese të ndërmarra për këtë qëllim.



