Brezat e rinj që po fabrikon shoqëria jonë
Gazetari Ferdinand Dervishi ka publikuar një video tronditëse. Në pak sekonda kupton situaten dramatike të shoqërisë ku jetojmë.
Kjo video nuk është thjesht një sherr mes adoleshentësh. Kjo video përmban një tentativë vrasjeje. Dhe kjo nuk është metaforë, as ekzagjerim emocional. Është fakt.
Ngjarja ndodh pranë shkollave. Autorë dhe dëshmitarë janë nxënës. Brezi që supozohet të jetë e ardhmja, shpresa, energjia e një shoqërie. Pikërisht këtu fillon tmerri.
Dy momente janë tronditëse dhe domethënëse për gjithçka që po shkon keq.
Së pari, nxënësit që nuk janë të përfshirë në konflikt nuk përpiqen ta ndalojnë. Nuk largohen. Nuk alarmohen. Ata kënaqen. Qeshin. Filmojnë. Shijojnë shfaqjen. Dhuna nuk i trondit më – i argëton. Viktima nuk është më njeri – është content.
Kjo nuk është thjesht mungesë ndjeshmërie. Është normalizim i dhunës, është mpirje morale, është edukim i munguar në familje, në shkollë, në shoqëri.
Së dyti, momenti më i errët: pasi kundërshtari rrëzohet përtokë, i pafuqishëm, njëri prej agresorëve i shtyp kokën me këmbë. Jo për t’u mbrojtur. Jo nga frika. Por për ta poshtëruar, për ta shkatërruar, për ta fshirë.
Ky është ekstremi i hakmarrjes. Është çasti kur dhuna kalon kufirin e konfliktit dhe hyn në territorin e vrasjes. Është instinkti më primitiv, më i errët i mendjes njerëzore, i shfaqur tek një fëmijë.
Këtu nuk kemi më “probleme rinore”. Këtu kemi dështim shoqëror.
Dështim të familjes që nuk transmeton vlera.
Dështim të shkollës që nuk edukon karakter.
Dështim të shtetit që nuk mbron hapësirat publike.
Dështim të shoqërisë që glorifikon forcën, dhunën, dominimin.
Po rrisim breza që nuk ndiejnë faj, nuk ndiejnë frikë, nuk ndiejnë empati. Breza që nuk dallojnë më mes konfliktit dhe krimit. Breza për të cilët dhuna është gjuhë, argëtim dhe mjet pushteti.
Dhe pyetja që duhet të na përndjekë të gjithëve është kjo:
Nëse sot shtypin një kokë përtokë dhe qeshin, çfarë do të bëjnë nesër kur të kenë pushtet, armë, ose uniformë?
Kjo nuk është vetëm video.
Kjo është pasqyra jonë.
Dhe ajo që shohim brenda saj është alarmante.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



