E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Çështja Veliaj, GJKKO vendos sot për fatin e dosjes së SPAK
Flash

Çështja Veliaj, GJKKO vendos sot për fatin e dosjes së SPAK

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) do zhvillohet sot seanca paraprake ndaj ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë të përfshirë në dosjen e SPAK.

Kjo seancë do të përcaktojë nëse çështja ndaj Veliajt do të kalojë për gjykim të plotë apo do të pushohet. Pritet që gjykata të shqyrtojë provat dhe akuzat penale të ngritura nga Prokuroria e Posaçme, si dhe qëndrimet e mbrojtjes.

Veliaj ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025, nën akuzën për krijimin e një skeme të gjerë korrupsioni dhe pastrimi parash në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Akuzat: Skemë korrupsioni dhe përfitime të paligjshme

Sipas hetimeve të SPAK, Veliaj dhe Xoxa dyshohet se kanë ndërtuar një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse për të kanalizuar fonde publike dhe ryshfete nga kontraktorë të Bashkisë së Tiranës. Nga kjo skemë, dyshohet se kanë përfituar rreth 1 milion euro, një pjesë e të cilave janë përdorur për blerje luksoze online.

Procesi i shkarkimit dhe sfida në Kushtetuese

Ndërkohë, pas arrestimit të Veliajt, procesi i shkarkimit të tij nga posti i kryebashkiakut u zhvillua me ritme të shpejta. Më 11 shtator u hap zyrtarisht procedura, ndërsa brenda dy javësh, Kryeministri Edi Rama dhe institucionet përkatëse finalizuan procesin. Presidenti Bajram Begaj më pas u njoftua për vakancën dhe pritet të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë.

Megjithatë, Veliaj ka kundërshtuar vendimin për shkarkimin e tij, duke paraqitur një ankim në Gjykatën Kushtetuese, e cila pritet të shqyrtojë çështjen më 31 tetor, për të vlerësuar nëse procedura ka qenë apo jo në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.

Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën për lirimin

Më herët, më 2 tetor, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e Veliajt për zëvendësimin e masës së sigurisë me një më të butë, duke konfirmuar arrestin me burg si masën më të përshtatshme në këtë fazë të hetimeve.

Çështja ndaj Veliajt është një nga proceset më të ndjekura të muajve të fundit dhe pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në dinamikat politike dhe institucionale të kryeqytetit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.