E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Çfarë po i mban peng procedurat? Zvarritet ekstradimi i Ermal Beqirit nga Franca
Bota

Çfarë po i mban peng procedurat? Zvarritet ekstradimi i Ermal Beqirit nga Franca

Procesi për ekstradimin e Ermal Beqirit nga Franca vijon të mos përfundojë, ndërsa Ministria e Drejtësisë është ende në fazën e përkthimit të dokumentacionit zyrtar që do t’i dërgohet autoriteteve franceze.

Burime pranë grupit të përkthyesve të licencuar të gjuhës frënge bëjnë me dije se materiali përfshin vendimin e masës së sigurisë të dhënë në dhjetor 2025, si dhe një sërë aktesh nga dosja hetimore, të cilat do të shoqërojnë kërkesën për ekstradim. Për shkak të volumit të madh të dokumenteve, procedura kërkon ende disa ditë për t’u përmbyllur, çka ka shtyrë dërgimin e kërkesës drejt drejtësisë franceze.

Ndërkohë, SPAK po përgatit edhe një kërkesë të dytë për ndihmë juridike ndërkombëtare, përmes së cilës synohet sekuestrimi i disa pasurive të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal. Mes tyre përfshihen një kështjellë, dy avionë, dy banesa dhe disa automjete, të cilat dyshohet se lidhen me Beqirin.

Ai është nën hetim në kuadër të dosjes së AKSHI-t dhe përballet me një sërë akuzash të rënda, përfshirë konkurrencë të paligjshme me dhunë, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera publikë, si dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Nga verifikimet rezulton se shpallja në kërkim ndërkombëtar ndaj tij është kryer në përputhje me ligjin dhe afatet procedurale. Një ditë pas vendosjes së masës së sigurisë “arrest në burg”, më 24 dhjetor 2025, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Interpol Tiranës shpalljen në kërkim me “njoftim të kuq”, i cili është reflektuar në databazën ndërkombëtare.

Hetimet e kryera në bashkëpunim me autoritetet franceze kanë çuar në identifikimin e disa pasurive me origjinë të dyshuar kriminale në territorin francez. Bëhet fjalë për llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, si dhe mjete të tjera motorike.

Zhvillimet e fundit tregojnë se procesi i ekstradimit mbetet i varur nga përfundimi i dokumentacionit dhe bashkëpunimi juridik mes dy vendeve, ndërsa hetimet për pasuritë e dyshuara vijojnë paralelisht.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.