Çfarë po ndodh? Kriset marrëdhënia Gjermani-SHBA
Tronditen themelet e bashkëpunimit strategjik
Një situatë e paprecedentë po tensionon marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke tronditur themelet e bashkëpunimit të tyre strategjik. Gjeneral-Lejtnanti gjerman Christian Freuding ka deklaruar për revistën prestigjioze amerikane The Atlantic se komunikimi i tij me homologët në Pentagon është ndërprerë plotësisht.
Freuding thotë se dikur ishte në gjendje të shkëmbente mesazhe “ditë e natë” me zyrtarët amerikanë të mbrojtjes, por tani linjat e komunikimit janë “totalisht të ndërprera”. Në mungesë të kontakteve të drejtpërdrejta, ai detyrohet të kërkojë informacion përmes Ambasadës Gjermane në Uashington, ku dikush “po përpiqet të gjejë një kontakt në Pentagon”.
“Po humbasim një mik të vërtetë”
Gjenerali paralajmëron se rendi i përbashkët që SHBA dhe Gjermania ndërtuan pas Luftës së Dytë Botërore po shpërbëhet. Ai kujton një moment të fundit në një mjedis ushtarak amerikan ku, sipas tij, askush nuk tregoi interes për praninë apo shqetësimet e tij mbi sigurinë evropiane.
Sipas The Atlantic, administrata Trump nuk kishte dhënë asnjë paralajmërim për vendime madhore, përfshirë pezullimin e dërgesave të caktuara të armëve për Ukrainën. Kjo mungesë transparence ka thelluar shqetësimet në Berlin.
“Ju jo vetëm që keni një armik që troket në derë,” tha Freuding, duke iu referuar kërcënimit rus, “por jeni edhe në procesin e humbjes së një aleati dhe miku të vërtetë.”
Frika e Berlinit: A do e mbrojë SHBA-ja Evropën nëse Putin sulmon?
Zyrtarët gjermanë po monitorojnë intensivisht lëvizjet e trupave ruse, duke analizuar mundësinë që Vladimir Putin të ndërmarrë një sulm ndaj një vendi të NATO-s brenda dekadës. Pyetja e madhe që i shqetëson është e thjeshtë: A do të ndërhyjë SHBA në mbrojtje të Evropës?
Dilema është aq e thellë sa Berlini ka nisur një transformim të plotë ushtarak.
Gjermania riarmohet: miliarda për armë, rikthim i mundshëm i rekrutimit
Për shkak të pasigurisë strategjike, Gjermania ka vendosur të riarmatoset në nivele të papara që nga Lufta e Dytë Botërore. Vendi po investon miliarda euro në armë të avancuara, po transformon industri civile për prodhim ushtarak dhe po diskuton seriozisht rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Qeveria gjermane ka premtuar se ushtria do të shndërrohet në më të fortën në Evropë. Një tjetër hap historik: Gjermania po stacionon trupa të përhershme jashtë kufijve të saj – diçka e paimagjinueshme disa vite më parë.
Berlin–Tel Aviv: Një aleancë e re për mbrojtjen ajrore
Ndërsa Uashingtoni lëkundet, Berlini po orienton sytë nga aleatë të tjerë. Gjermania po bashkëpunon ngushtë me Izraelin për sistemin e fuqishëm të mbrojtjes raketore Arrow 3, në gjendje të neutralizojë raketa balistike me rreze të gjatë në hapësirë.
Ky është bashkëpunimi më i madh ushtarak në historinë e Izraelit dhe, për herë të parë, e vendos Izraelin si garant të sigurisë gjermane – duke përmbysur logjikën e dekadave të fundit ku Gjermania ishte furnizuesi kryesor i armëve për Tel Avivin, si pjesë e përgjegjësisë historike për Holokaustin.
Në uniformën e Freuding, poshtë flamurit gjerman, qëndron logoja me shkronja hebraike e projektit Arrow 3 – simbol i një epoke të re të aleancave ushtarake.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



