E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Check-up-i në “kaps”, shtetëzimi nis me bllokim
Ekonomi

Check-up-i në “kaps”, shtetëzimi nis me bllokim

Pezullohet blerja e kiteve dhe materialeve

Kalimi i programit kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë (Check-up) nga duart e privatit te shteti ka nisur me një ngërç të shumëanshëm që rrezikon të paralizojë shërbimin në terren. Pasi përfundoi në shtator kontrata koncesionare 10-vjeçare me kompaninë 3P Life Logistic, qeveria vendosi shtetëzimi e plotë të këtij shërbimi.

Për të kryer shërbimin, Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore shpalli me urgjencë një tender me vlerë 18 milionë euro për blerjen e kiteve dhe materialeve të domosdoshme që analizat të kryeshin nga strukturat publike. Ky tender u nda në 5 lote.

Por tashmë tenderi është pezulluar plotësisht. Siç tregojnë dokumentat zyrtare, 4 lote kryesore të kësaj procedure të hapur nga kompania e re shtetërore, Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore Sh.A., mbajnë statusin zyrtar “Pezulluar”.

Check-up-i në "kaps" / Shtetëzimi nis me bllokim, pezullohet

Vlera e përbashkët e këtyre loteve të ngrira në sistemin e prokurimeve kap shifrën marramendëse prej 1,46 miliardë lekë ose rreth 126 milionë euro.

Peng i luftës për plaçkë
Bllokimi aktual i tenderit duket i lidhur ngushtë me një rrotacion administrativ në kupolën drejtuese të institucionit prokurues.

Pikërisht në ditën e shpalljes së këtij tenderi, ministrja e re e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka hedhur firmën e saj të parë në detyrë duke shkarkuar me urgjencë administratoren e OSHISH, Arisa Cane dhe duke e zëvendësuar atë me Yllka Shetan.

Ky shkarkim – i cili erdhi paralelisht me pikëpyetjet e mëdha mbi procedurat e tjera të këtij operatori si ajo e hemodializës – krijoi një tronditje administrative.

Sheta, e cila është akuzuar publikisht nga opozita si një emërim nepotik për shkak të lidhjeve familjare me bashkëshorten e kryeministrit, ka bllokuar thuajse totalisht tenderat e hapur nga paraardhësja e saj, e cila konsiderohej si një person i Evis Salajt.

Çfarë është bllokuar konkretisht?
Pezullimi ka goditur direkt furnizimet jetike për laboratorët shtetërorë që pritet të marrin në dorëzim fluksin e qytetarëve:

• Loti 1: Blerje kite-reagent për pajisje Abbott ose ekuivalent (433.2 milionë lekë) – I PEZULLUAR

• Loti 2: Blerje kite-reagent për pajisje Roche Diagnostic ose ekuivalent (807 milionë lekë) – I PEZULLUAR

• Loti 4: Blerje kite/testesh diagnostike për përcaktimin e gjakut okult (FOB) (127.3 milionë lekë) – I PEZULLUAR

• Loti 5: Blerje materiale mjekësore për programin bazë (100.6 milionë lekë) – I PEZULLUAR

Përplasja ligjore në letra dhe rrotacioni i administratës po ndihen direkt te qytetarët. Raportimet e para nga qendrat shëndetësore tregojnë se kitet për Check-up-in kanë filluar të mungojnë ose janë të limituara, duke detyruar mjekët e familjes të bllokojnë kontrollin bazë të qytetarëve.

Ndërkohë që qeveria hoqi kufirin e moshës duke e zgjeruar fashën për të gjithë personat mbi 35 vjeç, ngërçi administrativ dhe bllokimi i tenderit të materialeve prej 1.46 miliardë lekësh rrezikon ta kthejë premtimin e shtetëzimit në një dështim të parakohshëm./Kapitali

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.