Çifti Begaj do festonte në restorant bashkë me krushqit, ishin bërë gjyshër për herë të parë
Lavdosh Begaj, bashkëshortja e tij Lefteri Begaj dhe Afërdita Meta, janë përcjellë sot për në banesën e fundit pasi humbën jetën në një aksident tragjik në Tepelenë.
Ata ishin bërë gjyshër për herë të parë dhe mbrëmjen e kaluar po shkonin të festonin lindjen e nipit bashkë me krushqit. Por fati s’e deshi që dy familjet, Begaj dhe Meta të festonin në një restorant në periferi të Tepelenës, ashtu siç e kishin parashikuar.
62-vjeçari Begaj, po drejtonte makinën e tij tip “Toyota” me pasagjerë bashkëshorten, krushqit Jani dhe Lavdie Meta dhe nënën e moshuar të Jani Metës, kur në “bypass”-in e Tepelenës u përplasën nga një mjet tip ‘Benz’.
Shoferi i këtij mjeti, 42-vjeçari Riza Rrapaj dyshohet se ka qenë me shpejtësi në momentin e aksidentit dhe si pasojë e përplasjes ka humbur edhe vetë jetën në vendngjarje.
Përveç çiftit Begaj dhe 42-vjeçarit Rrapaj, në aksident humbi jetën edhe 90-vjeçarja Afërdita Meta, ndërsa u plagosën rëndë, Jani e Lavdie Meta, (burrë e grua).
Në familjen Begaj dhe Meta, në krushqi me njëra-tjetrën janë hapur dyert e mortit. Fqinjët e çiftit Begaj kanë treguar për mediat se ata kishin dy vajza të martuara dhe pak kohë më parë ishin bërë gjyshër për herë të parë. Lindjen e nipit ata do e festonin në një restorant bashkë me krushqit, Meta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



