Ç’po ndodh? I dërguari i Trump në Tiranë, takime me Baba Mondin, PS dhe PD
Paolo Zampolli, i Dërguari Special i administratës amerikane për Partneritetet Globale, ndodhet në Tiranë, ku po zhvillon një seri takimesh me përfaqësues të komunitetit bektashi dhe politikës shqiptare.
Vizita e tij po tërheq vëmendje edhe për shkak të kohës kur zhvillohet, pasi ideja për krijimin e një entiteti sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë është rikthyer në diskutimin publik.
Zampolli është takuar me Baba Mondin në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Takimi vjen edhe në prag të 35-vjetorit të rihapjes së Kryegjyshatës pas përfundimit të regjimit komunist në Shqipëri.
Projekti për krijimin e një entiteti sovran bektashi raportohet si një prej çështjeve që mund të jetë me interes gjatë vizitës së Zampollit. Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar se kjo ka qenë tema kryesore e diskutimit mes tij dhe Baba Mondit.
Pas vizitës në Kryegjyshatë, i dërguari amerikan ka vijuar takimet me përfaqësues të politikës shqiptare. Ai është takuar me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ndërsa në agjendën e tij është raportuar edhe një takim me Taulant Ballën.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Zampolli pritet të zhvillojë kontakte edhe me përfaqësues të qeverisë shqiptare.
Ideja për krijimin e një entiteti sovran bektashi me seli në Tiranë u bë publike për herë të parë nga kryeministri Edi Rama në shtator të vitit 2024. Projekti parashikon një territor prej rreth 11 hektarësh, ku ndodhet Kryegjyshata Botërore Bektashiane, dhe është konceptuar sipas një modeli të krahasuar me Vatikanin.
Sipas nismës, entiteti do të kishte një status të veçantë dhe do të drejtohej nga Baba Mondi, i cili e ka mbështetur publikisht projektin.
Megjithatë, krijimi i një strukture të tillë sovrane do të kërkonte një proces të gjerë institucional dhe ligjor, ndërsa mënyra konkrete e funksionimit dhe statusi i saj vijojnë të jenë pjesë e debatit.
Në këtë kontekst, vizita e një zyrtari të lartë amerikan në Tiranë dhe takimi me drejtuesin e komunitetit bektashi i ka rikthyer vëmendjen kësaj nisme, e cila prej vitit 2024 ka qenë pjesë e debatit politik në Shqipëri dhe jashtë saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



