
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga operacioni i strukturave të Krimit Kibernetik në Tiranë, ku u goditën tre call center-a të dyshuar për aktivitete të paligjshme me përmasa të mëdha.
Sipas burimeve, gjatë aksionit janë arrestuar disa persona, ndërsa mbi 80 operatorë të gjetur në ambientet e këtyre zyrave janë shoqëruar dhe marrë në pyetje për të sqaruar rolin e tyre në këtë aktivitet. Hetimet paraprake sugjerojnë një organizim të mirëstrukturuar dhe të shtrirë përtej këtyre tre pikave.
Gjatë kontrollit të ambienteve, agjentët kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme provash materiale, përfshirë kompjutera, servera, pajisje ruajtëse si USB dhe sisteme vëzhgimi. Ndërkohë, është zbuluar edhe një shumë e madhe parash, mbi 800 mijë euro, e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.
Hetimet kanë nxjerrë në pah se një pjesë e të ardhurave konvertohej në kriptomonedha, çka vështirëson gjurmimin e tyre financiar. Në këtë skemë dyshohet të jenë përfshirë edhe Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra.
Autoritetet dyshojnë se përmes kësaj veprimtarie janë mashtruar mijëra qytetarë europianë, ndërsa dëmi ekonomik i shkaktuar mund të kalojë shifrën e 50 milionë eurove. Ndërkohë, gjatë operacionit janë identifikuar edhe disa baza të tjera call center-ash, të cilat janë aktualisht nën hetim.
Personat e arrestuar:
- Eduart Dalla
- Mateo Hoxha
- Tedi Agastra
- Ledio Toçi
- Xhoel Mekollo
- Marsel Lami
- Xhoji Hitaj
Nën masën “ndalim dalje jashtë vendit”:
- Aida Vokli
- Ledjon Cenaj
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht skemën dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë rrjet të dyshuar mashtrimi ndërkombëtar.







