Dalin pamjet e pengmarrjes së biznesmenit Gerond Meçe
Shantazhi për tenderat e AKSHI-t
Më 12 gusht 2025, biznesmeni Gerond Meçe u rrëmbye në mes të ditës në një operacion që dokumentohet nga pamjet e dosjes hetimore. Autorët, të veshur me uniforme të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit dhe agjentëve të BKH-së, përdorën simbolikën e shtetit si mjet frike dhe nënshtrimi ndaj viktimës.
Në pamjet shihet momenti kur një person del nga dera e pasme e makinës, i veshur me kapele të zezë, bluzë të shkurtër të bardhë dhe jelek me mbishkrimin “Policia”. Një tjetër, identik me uniformën e policisë, del bashkë me shoferin, duke mbajtur maskë, syze të errëta, xhinse dhe atlete të zeza.

Pengmarrja dyshohet të ketë lidhje me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Meçe u mbajt i peng për disa orë nga persona të paidentifikuar, të cilët sipas hetimeve vepronin nën urdhër të grupit kriminal të drejtuar nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Ngjarja ndodhi në garazhin e banesës së tij, ku Meçes iu mbulua fytyra dhe u dërgua në një zonë të Elbasanit. Nga aty, të dyshuarit i kërkuan të telefononte administratorin e tenderave, duke detyruar tërheqjen e ankimimeve të dorëzuara në Komisionin e Prokurimeve Publike. Menjëherë pas këtij veprimi, Meçe u lirua dhe më pas njoftoi ambasadën gjermane, ndërsa ai dhe familja larguan vendin.
Pas hetimeve, Gjykata e Posaçme caktoi arrest shtëpie për drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi, për akuza që përfshijnë shkelje të barazisë në tendera, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje veprash penale nga organizata kriminale.
Ndërkohë, për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, është vendosur pezullimi nga detyra, për akuza që lidhen me konkurrencë të paligjshme, dhunë dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Arrest me burg është caktuar ndaj Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, të dy të akuzuar për veprat penale:
-
Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës
-
Heqje e paligjshme e lirisë
-
Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal
-
Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal
-
Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
Hetimi tregon një skemë të organizuar dhe të koordinuar, që shtrihet nga përdorimi i dhunës dhe pengmarrjeve, deri te manipulimi i tenderave dhe pastrimi i parave, duke theksuar rrezikun serioz për institucionet dhe besimin publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



