Dalin pamjet! Momenti kur policia shpëton 24-vjeçaren (VIDEO)
Pamjet e publikuara tregojnë momentin dramatik kur policia arrin të shpëtojë 24-vjeçaren Rozalinda Plaka, e cila u mbajt peng nga 35-vjeçari Nertil (Refit) Buzi, pasi ky i fundit kishte ekzekutuar me armë gjahu prindërit e saj brenda banesës.
Në video shihet efektivi i policisë që i afrohet të resë dhe e merr në krahë, ndërsa operacioni mbahej nën kontrollin e snajperistëve të forcave speciale RENEA. Pasi autori vendosi ta lironte, Rozalinda del nga automjeti zbathur, ndërsa 35-vjeçari, që ndodhej ende në makinë, i hedh atletet nga brenda saj.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit, kur Refit Buzi, i njohur edhe si Nertil Buzi, hyri i armatosur në banesën e familjes Plaka. Në ato momente, çifti Kosta (Arben) dhe Belerie Plaka po bëheshin gati për të nisur ditën e punës.
Sapo hyri në banesë, autori hapi zjarr ndaj tyre. Kosta Plaka ndërroi jetë në vend, ndërsa bashkëshortja e tij mbeti e plagosur rëndë. Ajo u transportua me urgjencë në spitalin rajonal të Fierit, ku iu nënshtrua një operacioni të gjatë, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.
Pas krimit, 35-vjeçari mori me forcë 24-vjeçaren, me të cilën kishte pasur një lidhje prej vitesh, dhe u largua nga pjesa e pasme e banesës. Ai u drejtua më pas drejt zonës së Kurjanit, ku pas disa orësh ndjekjeje intensive nga policia, e la të renë të lirë dhe pa dëmtime fizike.
Operacioni për neutralizimin e autorit zgjati disa orë dhe u shoqërua me negociata të vazhdueshme nga forcat e rendit. Pavarësisht përpjekjeve për ta bindur të dorëzohej, 35-vjeçari refuzoi dhe në fund i dha fund jetës, duke kryer vetëvrasje.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, duke rikthyer vëmendjen te dhuna ekstreme dhe siguria e jetës në familje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



