Dalin rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë, LDK ‘shuplakë’ Kurtit
Procesi i balotazhit për zgjedhjet lokale në Kosovë është mbyllur pa vonesa dhe menjëherë ka nisur numërimi i votave në 18 komunat që zhvilluan raundin e dytë më 9 nëntor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) raportoi se brenda pak orësh numërimi kishte përfunduar në pjesën më të madhe të vendvotimeve. Deri tani, sipas rezultateve preliminare, LDK ka siguruar 5 komuna, LVV dhe AAK nga 4, ndërsa PDK 3 komuna.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se në platformën zyrtare pritet të azhurohen edhe dy vendvotime të mbetura për Mitrovicën e Jugut.
“Rezultatet përfundimtare do të shpallen pas numërimit të votave të diasporës, të personave me nevoja të veçanta dhe votave me kusht,” tha Radoniqi, duke shtuar se votat nga diaspora pritet të mbërrijnë javën e ardhshme.
Fitoret kryesore sipas komunave
-
Gjilan – Alban Hyseni (LVV) konfirmon fitoren me 61.06% të votave.
-
Prishtinë – Përparim Rama (LDK) shpall fitoren me 51.5%, duke siguruar një mandat të dytë.
-
Prizren – Shaqir Totaj (PDK) në epërsi me 54.97%.
-
Pejë – Gazmend Muhaxhiri (LDK) ruan postin me 61.4%.
-
Gjakovë – Ardian Gjini (AAK) siguron një fitore të thellë me 62.3%.
-
Rahovec – Smajl Latifi (AAK) prin me 58.5%.
-
Suharekë – Bali Muharremaj (AAK) shpall fitoren me 55.9%.
-
Fushë Kosovë – Valon Prebreza (LVV) në avantazh me 53.4%.
-
Kaçanik – Jeton Raka (LVV) kryeson me mbi 70% të votave të numëruara.
-
Vushtrri – Ferit Idrizi (PDK) fiton me 54.4%.
-
Viti – Sokol Haliti (LDK) konfirmon epërsinë me 51.4%.
-
Klinë – Zenun Elezaj (AAK) fiton me 58.6%.
-
Dragash – Bexhet Xheladini (LDK) me 57.8%.
-
Kllokot – Lista Serbe fiton bindshëm me afro 90% të votave.
Garë e ngushtë dhe tension deri në fund në Mitrovicë të Jugut
Në Mitrovicë të Jugut, gara mbetet e hapur mes Faton Pecit të LVV-së dhe Arian Tahirit të PDK-së. Diferenca është minimale – vetëm 688 vota. Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se partia do të presë numërimin e çdo vote përpara shpalljes së rezultatit përfundimtar.
Rezultatet përfundimtare priten pas numërimit të votave të diasporës
KQZ theksoi se rezultatet përfundimtare do të konfirmohen pas përfshirjes së votave nga jashtë vendit dhe të atyre me kusht. Procesi deri tani është zhvilluar qetë, pa ndonjë incident të rëndësishëm.
Shtrirja e partive pas dy raundeve të zgjedhjeve lokale
Pas dy raundeve, harta politike e Kosovës është si vijon:
-
LDK: Pejë, Dragash, Viti, Junik, Prishtinë
-
AAK: Gjakovë, Suharekë, Klinë, Rahovec
-
LVV: Fushë Kosovë, Gjilan, Kaçanik
-
PDK: Prizren, Vushtrri, Klinë
-
Lista Serbe: Kllokot dhe 9 komuna të tjera me shumicë serbe
-
KDTP: Mamushë
-
NISMA: Malishevë
-
Iniciativa e Ramiz Lladrovcit: Drenas
Dalja në raundin e parë ishte 40.4 për qind, ndërsa në balotazh 32.6 për qind.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



