DASH reagon për rastin e Llallës: Zotërojmë prova për përfshirje të vazhdueshme në afera…
Zotërojmë prova për përfshirje të vazhdueshme në afera, e kemi marrë seriozisht luftën ndaj të korruptuarve
Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar dje sërish për çështjen e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Por ndryshe nga herët e tjera, këtë herë amerikanët kanë bërë të qartë se Llalla ka qenë i përfshirë në afera korrupsioni jo vetëm një herë, por në shumë raste. Një zëdhënës i DASH ka folur dje mbi reagimet në Tiranë. I pyetur nëse DASH ishte “keqinformuar” nga Ambasada Amerikane në Tiranë mbi rastin “Llalla”, siç pretendoi ky i fundit në një deklaratë pak kohë më parë, zyrtari amerikan theksoi se Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson ka pasur informacione të besueshme mbi përfshirjen e Adriatik Llallës në afera gjatë mandatit të tij si kryeprokuror i Shqipërisë. “Sekretari Tillerson ka informacione të besueshme që z. Adriatik Llalla ka qenë i përfshirë në korrupsion sinjikativ gjatë mandatit të tij si Prokuror i Përgjithshëm”, u shpreh ai. Ndërsa i pyetur se skeptikët në qarqet politike dhe mediatike në Shqipëri që kërkojnë fakte, e shohin Llallën si “kokë turku”, të bërë nga qeveria amerikane kundrejt “kundërshtarëve” të reformës në drejtësi, dhe se a do të ketë të tjerë ‘persona non grata’ në listën e Sekretarit Tillerson, ai u përgjigj se SHBA ka standard fiks për të gjithë zyrtarët e përfshirë në korrupsion. Dhe për këtë, ai theksoi se precedenti “Llalla” do aplikohet në gjithë botën, ku sipas tij, kushdo që është i përfshirë në korrupsion do të shpallet “Non grata”. “Kur Sekretari merr informacion të besueshëm, se një zyrtar është përfshirë në korrupsion sinjikativ dhe/apo dhunim të të drejtave të njeriut, ai është i kushtëzuar që ta ‘piketojë’ atë zyrtar dhe anëtarët e familjes së tij duke përdorur klauzolën 7031(c). Ne jemi, në mënyrë aktive, duke shqyrtuar raste dhe do ta përdorim këtë autoritet në mënyrë globale. Në varësi të rrethanave të caktuara, disa prej ‘piketimeve’ bëhen publikisht dhe, disa të tjera, privatisht”, u përgjigj ai.
Paralajmërimi i DASH
Duke folur për portalin “Politiko.al”, zëdhënësi i DASH ka paralajmëruar të gjithë klasën politike shqiptare. Ai ka thënë se SHBA e ka marrë shumë seriozisht luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri. Nga ana tjetër, ai u është përgjigjur dhe akuzave të LSI, se përse DASH nuk ka dhënë sqarime mbi këtë vendim. Sipas zëdhënësit, është në të drejtën e DASH që t’i publikojë apo jo informacionet. “Për rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast të veçantë, ne besojmë se është e rëndësishme, për qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar, ta dinë se sa seriozisht e shohim ne korrupsionin”, nënvizoi zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit. Pak ditë më parë SHBA vendosi ta shpallë person të padëshirueshëm ish-kryeprokurorin shqiptar. Me argumentin se ai është i përfshirë në afera korrupsioni. Mirëpo ky vendim tregon se amerikanët kanë hapur dosjet për pushtetarët shqiptarë dhe pas tij do të ketë emra të tjera që rrezikohen. Por me interes pritet të shihet nëse do të ketë hetime penale ndaj tij. Akuza e SHBA është shumë e fortë dhe ka shpresë që provat e tyre do të mbërrijnë shumë shpejt në Tiranë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



