Dje, në edicionin informativ të orës 15:00, ‘Top Channel’ transmetoi një kronikë, ku tregonte se si liqeni në Pogradec ishte mbushur me plehra.
Raporton ‘Top Channel’:
‘Liqeni i Pogradecit vazhdon të shihet si një depozitë e grumbullimit të mbetjeve.
Përpjekjet për ta renditur atë në Listën e Pasurive Botërore vazhdojnë prej vitesh, por shpresat për të qenë në UNESCO janë ende të largëta dhe duket se nuk ndikojnë aspak në ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe instancave për të qenë më të kujdesshëm.’
Duke vazhduar më tej:
‘Karakteristikë e Liqenit të Ohrit ka qenë uji i kulluar, por veprimtaritë njerëzore në pellgun ujëmbledhës, vetëm për pak dekada të fundit e kanë ndryshuar këtë gjendje.
Çdo vit Bashkia e Pogradecit shpenzon për pastrimin dhe sistemimin e bregut e megjithatë nga Pogradeci e deri në Tushemisht gjendja vijon të jetë alarmante.’
Dhe duke përfunduar transmetimin e këtij argumenti me konkluzionin se e gjitha ka ndodhur ‘Për shkak të mënyrës së gabuar të trajtimit të mbetjeve urbane.’
Kronika është paraprirë nga sigla ‘Mesazh sensibilizues’ me logon e ‘Top Channel’ me moton: ‘Shqipëria e mbuluar nga plehrat’.

I gjithë ky raportim do të qe krejt i zakonshëm për një media kombëtare, e cila ka përgjegjësi para shikuesve për transmetimin e çdo fenomeni që ndodh mbi pasuritë natyrore por ai është bërë në një rrethanë specifike: një ditë pasi qeveria shqiptare ka dorëzuar dosjen në UNESCO, me qëllim që pjesa jonë e liqenit të fitojë statusin.
UNESCO, që është Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë ka marrë në dorëzim dosjen e përgatitur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri për të vlerësuar nëse pjesa shqiptare e liqenit të Ohrit do të bëhet pjesë e listës së trashëgimisë botërore (pjesa e Maqedonisë është në listë).
Deklaronte ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi për dosjen e dorëzuar:
‘Shqipëria dorëzoi sot Dosjen e Kandidimit të rajonit të Liqenit të Ohrit si Trashëgimi Natyrore dhe Kulturore në Listën e Trashëgimisë Botërore. Pas një pune të gjatë përgatitore, e gjithë dosja voluminoze, me vlerat e pamohueshme natyrore dhe kulturore të liqenit është tashmë në Qendrën e UNESCO –s në Paris, në pritje të miratimit nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.
Përgatitja e dosjes nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit u realizua nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, ekspertët e fushave respektive, institucioneve lokale dhe pushtetit vendor. Bashkë me dosjen e nominimit është tashmë dhe suplementi i Planit të Menaxhimit të rajonit të Liqenit të Ohrit, që do të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të zonës, duke siguruar, bashkëpunuar dhe shkëmbyer eksperiencën në kontekst ndërkufitar.’

Pse ‘Top Channel’ publikoi këtë kronikë në kohën që Qendrës në UNESCO në Paris do t’i duhet të mendohet për t’i thënë ‘Po’ ose ‘Jo’ qeverisë Rama?
Nga një kërkim i thjeshtë rezulton se ‘TCH’ ka bërë edhe disa kronika të tjera lidhur me mbulimin e Shqipërisë nga plehrat (Masakra mjedisore në Bulqizë, tymi i djegies së plehrave mbulon qytetin-22 dhjetor 2017, Dropulli, pa lekë për plehrat; Bashkia s’ka mjete-15 janar 2018, Në pritje të landfillit në Devoll…tonelata me mbetjet përfundojnë në lumë-30.1.2018) mes të cilave raportohet edhe për liqenin e Shkodrës (Liqen me plehra, prag katastrofe në Shkodër-26 dhjetor 2017) dhe liqenin e Fierzës (Liqeni i plehrave, mbetjet urbane përfundojnë në ujërat e Fierzës-11 janar 2018). Në të gjitha kronikat lexohet i njëjti konkluzion: Shqipëria e mbuluar nga plehrat.

Pra, është e qartë, plehrat dhe menaxhimi i tyre ka qenë në fokusin e Top Channel-it, që së fundi është zotuar në një politikë editoriale më agresive ndaj qeverisë.
Por edhe ministri Klosi prej kohësh ka nisur një fushatë sensibilizuese, duke u rrëfyer të gjithëve se për vendin plehrat janë bërë të padurueshme, madje janë të freskëta imazhet kur ai kacavirrej kalasë së Beratit për të pastruar. Aktivizimi i këtij lloji u lexua më shumë si qëllim për të faktorizuar çështjen e plehrave dhe përpunimit të tyre, duke legjitimuar nevojën e ngritjes të sa më shumë incineratorëve në vend, ide që po shoqërohet me protesta.

Siç shihet, të dyja palët, edhe Top Channel edhe qeveria janë të ndjeshme për të njëjtin argument dhe në të njëjtën kohë: plehrat e vendit.
Pyetja është kush është më i ndjeshëm: qeveria që thotë se do t’i përpunojë me incineratorët e ‘dobishëm’ apo Top Channel që thotë se qeveria s’po punon mirë?!



