Dëbora izolon jugun, dhjetëra fshatra të bllokuar në Gjirokastër dhe Dropull
Reshjet intensive të dëborës kanë përfshirë të gjithë qarkun e Gjirokastrës dhe zonën e Dropullit, duke krijuar vështirësi serioze në qarkullim dhe në jetën e përditshme të banorëve.
Trashësia e dëborës ka bllokuar rrugë të shumta rurale, duke lënë të izoluar dhjetëra fshatra në zonat e Gjirokastrës, Dropullit, Pogonit, Zagorisë dhe Libohovës. Banorët raportojnë se lëvizja është bërë pothuajse e pamundur, ndërsa mungojnë ndërhyrjet në terren për pastrimin e akseve rrugore.
Një nga pikat më problematike paraqitet Qafa e Skerficës, ku qarkullimi është ndërprerë, duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe duke izoluar më tej zonat përreth.
Sipas banorëve, deri më tani nuk ka pasur reagim të dukshëm nga institucionet përgjegjëse, ndërsa mungesa e mjeteve borëpastruese dhe e koordinimit në terren ka përkeqësuar situatën.
Pamjet nga zona tregojnë një situatë të rënduar, ku reshjet vijojnë ndërsa banorët përballen me mungesë aksesesh dhe vështirësi në sigurimin e nevojave bazë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



