Degradimi i Sistemit: Pse BKH po arreston pa Policinë
dhe “Të Paprekshmit” që Sfidojnë SPAK-un
Aksioni i fundit i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), e cila vuri në pranga një person të kërkuar prej më shumë se një viti në Durrës – krejtësisht e vetme dhe pa ndihmën e Policisë së Shtetit – ishte kartëmonedha e thyer e besimit institucional. Ky operacion konfirmoi atë që prej kohësh përflitej nën zë: SPAK dhe BKH nuk i besojnë më Policisë së Shtetit. Ky shmangie totale e organizatës kryesore të rendit nuk është thjesht një strategji operacionale; është një certifikatë dështimi për Policinë. Por ndërsa SPAK po nis të veprojë vetë, pyetja që rri si re e zezë mbi opinionin publik mbetet: Përse nuk kapen “të fortët” e vërtetë? Ku janë Ergys Agasi, Visi i Pojës, apo Suel Çela apo Ben Qimja?
Pse “Sistemi” i mbron dhe pse nuk kapen?
Nëse një i kërkuar i thjeshtë fshihej për një vit “nën hundën” e qindra agjentëve në Durrës, imagjinoni se çfarë ndodh me emrat që kontrollojnë fije të fuqishme politike dhe ekonomike. Ka disa arsye pse personazhe si Agasi, Visi i Pojës apo Suel Çela mbeten të paarritshëm për prangat:
Dekonspirimi i Informacionit: Platformat e koduara (si Sky ECC dhe EncroChat) treguan se si zyrtarë të lartë të policisë serveshin si “avokatë” dhe informatorë të grupeve kriminale. Informacioni nuk shitet thjesht për para; ai shitet për mbijetesë politike dhe pushtet.
Aksionerë në Ekonomi: Këta emra nuk janë thjesht të kërkuar në letra; ata janë shndërruar në aksionerë të fuqishëm të ekonomisë, ndërtimit dhe investimeve strategjike. Prekja e tyre do të thotë të tundësh themelet e financave që qarkullojnë në vend.
Vullneti Politik: Policia e Shtetit, veçanërisht pas vitit 2015, u katandis nga disa drejtues në një gardiane të parcelave të kanabisit dhe më pas në një mburojë për grupet kriminale. Kur politika i përdor këta individë për të garantuar vota dhe pushtet në zona të nxehta, policia thjesht kthen kokën mënjanë.
Faktet Ulëritëse të një Policie të “Rënë”
Nuk është rastësi që përqindja më e madhe e të arrestuarve të botës së krimit nga SPAK-u përgjatë viteve të fundit është realizuar jashtë vendit.
Ku realizohen arrestimet?
Jashtë Shqipërisë (Dubai, BE): Aty ku informacioni nuk shitet dhe ku policia shqiptare nuk ka akses në kohë reale.
Kush i tradhton operacionet?
Në Shqipëri: Operacionet e SPAK shpesh dështojnë në sekondat e fundit sepse “shënjestrat” njoftohen nga zyrtarë me grada të mëdha.
Nga një trupë prej 13 mijë punonjësish, pjesa që ka bërë pis uniformën mund të jetë numerikisht e vogël, por gradat e tyre kanë qenë të mëdha. Ata që kishin në dorë urdhrat, kishin në dorë edhe linjën direkte me banditët.
Kur bie policia , ka rënë shteti
BKH e dinte mirë se informacioni për të kërkuarin në Durrës ekzistonte edhe në sirtarët e policisë. Ndryshimi i vetëm? BKH vendosi të mos e ndante atë me ata që e kishin për detyrë ta arrestonin, nga frika se personi do të zhdukej sërish si me magji.
Ky realitet tregon se në Shqipëri sistemi ka rënë. Kur strukturat e drejtësisë nuk guxojnë të bashkëpunojnë me strukturat e rendit, qytetari i thjeshtë mbetet i pambrojtur përballë banditit. Për sa kohë që emrat e mëdhenj si Agasi, Suel Çela apo Visi i Pojës do të mbeten të paprekshëm, lëvizjet e BKH-së do të duken si gërvishtje e lehtë mbi sipërfaqen e një kanceri të thellë që ka përfshirë shtetin./ Naim Noka
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



