Deklarata e fortë për 21-janarin: Basha e ka shitur Berishën!
Hetimi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) mbi fondet e Kuvendit të Rithemelimit, proces që i parapriu rikthimit të Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike, ka nisur pas një kallëzimi të depozituar nga Gazmend Bardhi në fund të vitit 2021.
Në këtë kallëzim, ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike akuzoi Belind Këlliçin, Albana Vokshin dhe Enno Bozdo Spahon si organizatorë të Kuvendit. Në kuadër të këtij hetimi, një ditë më parë Belind Këlliçi u pyet në SPAK lidhur me origjinën e fondeve dhe faturat përkatëse, ndërsa ditën e sotme u thirr për të dhënë shpjegime edhe anëtari i kryesisë, Indrit Hoxha.
Lidhur me këtë situatë, gazetari Fatos Mahmutaj, i ftuar në emisionin “Ora e Fundit”, e cilësoi përplasjen brenda Partisë Demokratike si një formë “karma” që po godet kupolën e saj drejtuese.
“Këtë e shikoj si një ‘karma’ brenda PD apo brenda kupolës së PD. Ishin këta njerëz që përpara katër vitesh u rrahën me hunj, detyruan palën tjetër të blindonin dyert. Gaz Bardhi shikonte rrugën e padisë në SPAK, duke menduar për karrierën. Unë jam i mendimit se ai është bërë pishman për kallëzimet e tij”, u shpreh Mahmutaj.
Gazetari komentoi gjithashtu edhe takimin e fundit të Sali Berishës në Lezhë, duke deklaruar se pasuesi i tij në krye të Partisë Demokratike nuk do të vijë nga familja e ish-kryeministrit, por do të jetë një figurë tjetër, e zgjedhur nga vetë demokratët.
Sipas Mahmutajt, Partia Demokratike, nën drejtimin e Sali Berishës, ka pësuar një rënie të ndjeshme, duke u tkurrur deri në atë pikë sa të konsiderohet sot një forcë politike e dorës së dytë apo të tretë.
“Berisha e ka kuptuar edhe vetë se familja e tij janë super të konsumuar për drejtimin e PD. I ka ardhur momenti që të zgjidhet lideri vetë, jo trashëgimi e familjes së Berishës. Deri tani, Berisha ia kishte bërë hyzmetin e duhur që në krye të PD të linte vajzën ose djalin e tij. Nga mbajtja peng e PD nga Berisha, kjo parti vetëm është rrudhur. Ka humbur dhe ka shkuar në çdo palë zgjedhje poshtë e më poshtë dhe është katandisur si parti e dorës së dytë apo të tretë, nga parti e dorës së parë që ishte në të kaluarën. Kësaj partie i duhet me patjetër që të zgjedhë një personazh të hajrit, të jetë i ri dhe i pakonsumuar”, deklaroi ai.
Më tej, Mahmutaj ngriti akuza shumë të rënda ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e cilësuar atë si të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarje kriminale të rënda.
“Berisha është kokë e këmbë i zhytur në krim. Berisha ka urdhëruar vrasje dhe dekrete vetë. Kemi rastin e Haklajve. Ai bënte thirrje që ‘gjallë a vdekur, të ma sillni Fatmir Haklajn në Tiranë’. Ka urdhëruar vrasjen dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Futi në kurth Azem Hajdarin. Krimet e tij i projekton tek të tjerët”, theksoi Mahmutaj.
Në vijim, gazetari deklaroi se Lulzim Basha ka luajtur një rol vendimtar në zbardhjen e përgjegjësive për ngjarjet e 21 janarit, duke ia atribuar përgjegjësinë direkte Sali Berishës.
“Basha ka përcjellë urdhrat e Sali Berishës. Lulzim Basha e ka shitur Sali Berishën për 21 janarin”, përfundoi Mahmutaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



