“Është rikuperuar serveri i Kryeministrisë, provat po dalin në dritë”
Deklarata e fortë e gazetarit për 21-janarin
Vetëm pak ditë para përvjetorit të tragjedisë së 21 Janarit, gazetari Fatos Mahmutaj, i cili mbeti i plagosur gjatë protestës së vitit 2011, ka rikthyer në vëmendje ngjarjen duke kërkuar zyrtarisht rihapjen e hetimeve.
Mahmutaj deklaroi se përgjegjësia kryesore për dhunën dhe pasojat fatale të protestës i takon ish-kryeministrit Sali Berisha, duke pretenduar se forcat e Gardës hapën zjarr ndaj protestuesve në momentet e fundit, kur protesta ishte drejt përfundimit.
Sipas tij, bilanci i ngjarjes është tragjik: katër persona humbën jetën dhe 137 të tjerë u plagosën. Mahmutaj theksoi se tashmë ekzistojnë prova të reja, përfshirë pamje filmike, përgjime dhe të dhëna të rikuperuara nga serverët e Kryeministrisë, të cilat – sipas pretendimit të tij – janë verifikuar edhe nga partnerët amerikanë të drejtësisë.
Gazetari nënvizoi se familjarët e viktimave dhe të plagosurit nuk kërkojnë hakmarrje apo qëllime politike, por vetëm drejtësi për atë që ndodhi më 21 Janar.
“E gjithë përgjegjësia e kësaj proteste ka një emër: Sali Berisha. Qëllimi ndaj protestuesve ndodhi kur protesta po mbyllej. Gardistët hapën zjarr dhe unë kam identifikuar edhe persona konkretë që qëlluan drejt turmës,” u shpreh Mahmutaj, duke shtuar se ai personalisht kërkon vetëm zbardhjen e së vërtetës.
Ai theksoi në emisionin “Ora e Fundit” se edhe vetëm pamjet bruto të transmetuara nga televizionet kombëtare do të mjaftonin për rihapjen dhe zbardhjen e çështjes. Mahmutaj shtoi se të dhënat e rikuperuara nga serverët e Kryeministrisë kanë nxjerrë në dritë përgjime të brendshme dhe prova të tjera që e bëjnë çështjen të qartë.
Sipas gazetarit, zhvillimet e fundit dhe ekzistenca e këtyre provave e vendosin ish-kryeministrin gjithnjë e më pranë përgjegjësisë penale, ndërsa ai theksoi se drejtësia duhet të veprojë pa vonesa.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



