Demokratët Evropianë: Rama dhe Berisha duhet të largohen!
Demokratët Evropianë kanë bërë një tjetër reagim lidhur me protestat qytetare që prej më shumë se 50 ditësh vijojnë në Tiranë, ku qytetarët kërkojnë jo vetëm dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, por edhe ndryshimin e gjithë klasës politike.
Në deklaratën e tyre, Demokratët Evropianë shprehen se Shqipëria ndodhet përballë një krize besimi ndaj institucioneve dhe se zgjidhja, sipas tyre, kërkon një udhëheqje të re politike.
Ata kanë bërë përgjegjës si kryeministrin Edi Rama, ashtu edhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke deklaruar se të dy duhet të largohen dhe se vendi meriton një alternativë të re politike.
“Në ditën e pesëdhjetë të protestave në Tiranë, një pankartë e përmbledh krizën: ‘Shqipëria nuk është një resort privat’. Qeveria e Edi Ramës ka mbështetur një projekt që kërcënon tokën e mbrojtur, ndërsa minon transparencën dhe besimin në shtetin ligjor.
Opozita e Sali Berishës ka dështuar të ofrojë një rinovim demokratik të besueshëm. Shqipëria meriton një udhëheqje të re, institucione të përgjegjshme dhe një të ardhme vërtet evropiane. Të dy duhet të largohen”, thuhet në reagimin e Demokratëve Evropianë.
Ky qëndrim vjen në një kohë kur protestat në Tiranë kanë hyrë në një fazë të zgjatur, me mijëra qytetarë që vijojnë të kërkojnë ndryshime politike dhe reagim institucional.
Organizatorët e protestave kanë ngritur si shqetësime kryesore çështjet e transparencës, vendimmarrjeve qeveritare dhe projekteve që, sipas tyre, cenojnë interesin publik.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



