Dënimi me 25 vite burg, djali i Jakup Krasniqit përcjell mesazhin e të atit
Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku babai i tij u dënua me 25 vite burgim.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Krasniqi ka bërë të ditur se ka takuar të atin pas shpalljes së vendimit dhe ka përcjellë mesazhin e tij për shqiptarët dhe mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas Altin Krasniqit, Jakup Krasniqi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së ndihen të fortë dhe krenarë, ndërsa ai thekson se ata e konsiderojnë veten me ndërgjegje të pastër për veprimtarinë e tyre.
“Sapo përfundova vizitën me babin. Ai falënderon secilin shqiptar për mbështetjen që i është dhënë luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata janë të fortë, krenarë dhe me ndërgjegje të pastër për veprimtarinë e tyre”, shkruan ai.
Më tej, Krasniqi përcjell qëndrimin e të atit se vendimi i gjykatës nuk përbën një dënim për ish-krerët e UÇK-së.
“Ky nuk është dënim për ta, sepse fitoren e tyre e kanë fituar në qershor të vitit 1999 dhe më 17.02.2008”, vijon mesazhi.
Në reagimin e tij, Altin Krasniqi e cilëson vendimin si “një dënim për popullin dhe shtetin e Kosovës”, ndërsa e mbyll me një deklaratë për UÇK-në:
“UÇK-ja është dhe do të mbetet krenaria jonë”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



