Protestë masive në Prishtinë kundër aktgjykimit të Hagës
Mijëra qytetarë janë mbledhur këtë të premte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tubimi u zhvillua nën moton “Jo në emrin tim”, dy ditë pas shpalljes së vendimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Më 16 shtator, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë për vepra të krimeve të luftës dhe vendosi dënime që në total arrijnë në 81 vite burgim. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite burgim.
Gjykata i gjeti fajtorë për ndalim dhe burgim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. Në të njëjtin aktgjykim, ata u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi trupi gjykues vlerësoi se nuk ishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistenca e një sulmi të përhapur ose sistematik ndaj popullsisë civile.
Thirrje kundër vendimit të Hagës
Në sheshin e Prishtinës janë dëgjuar thirrje kundër aktgjykimit, ndërsa protestuesit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të gjykatës.
Organizatorët e kanë paraqitur tubimin si një reagim jo vetëm ndaj dënimeve të katër ish-krerëve të UÇK-së, por edhe ndaj mënyrës se si, sipas tyre, po trajtohet historia e luftës së Kosovës.
Gjatë protestës ka folur edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Arientin Abdyli. Ai deklaroi se pjesëmarrësit janë mbledhur për të kundërshtuar atë që e konsiderojnë si padrejtësi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
“Luftën tonë e bëmë pa maska”, u shpreh Abdyli gjatë fjalës së tij para protestuesve.
Në protestë edhe drejtues të PDK-së dhe familjarë
Tubimit i janë bashkuar edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deputetë të kësaj partie dhe familjarë të ish-krerëve të UÇK-së.
Mes pjesëmarrësve janë parë Endrit Thaçi, djali i Hashim Thaçit, si dhe djemtë e Kadri Veselit.
Protesta vjen pas disa reagimeve publike që kanë pasuar shpalljen e aktgjykimit në Hagë. Një ditë më parë, në Prishtinë pati gjithashtu tubime kundër vendimit, ndërsa protestuesit marshuan në drejtim të zyrave të EULEX-it.
Vendimi i 16 shtatorit shënoi përfundimin e gjykimit në shkallën e parë për çështjen ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Procesi gjyqësor kishte nisur në prill 2023, ndërsa procedurat e provave u mbyllën në dhjetor 2025.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



