E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denoncimi: Kompania “KAYO” po grabit pronat!
Lajme

Denoncimi: Kompania “KAYO” po grabit pronat!

“Po ndërton fshehtas fabrikë municionesh pranë banesave”

Partia Demokratike ka ngritur alarmin për atë që e cilëson si një tjetër rast problematik që prek pronën private dhe mungesën e transparencës nga institucionet shtetërore.

Në një komunikim për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsion në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, deklaroi se në zonën e Kodër Babrru, në Tiranë, banorët po përballen me një situatë të paqartë lidhur me pronat e tyre. Sipas saj, bëhet fjalë për pasuritë me numër 173 dhe 174, të regjistruara në kadastër si pronë e familjes Dervishi, të cilat – sipas pretendimeve të ngritura – janë kaluar në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes në funksion të kompanisë “KAYO”, pa një proces të qartë informimi publik.

Banorët shprehen se zona është rrethuar dhe se hyrja në pronë është kufizuar, ndërsa nuk ka tabela sqaruese mbi natyrën e kufizimeve apo mbi projektin konkret që po zbatohet. Ata pretendojnë se nuk janë informuar në mënyrë zyrtare për ndryshimin e statusit të pronës dhe për qëllimin e investimit.

Sipas deklarimeve të bëra publike, ekziston dyshimi se pranë banesave mund të ndërtohet një fabrikë municionesh dhe një njësi për demontimin e armëve – aktivitet që konsiderohet me rrezikshmëri të lartë dhe që, sipas standardeve ndërkombëtare të sigurisë, duhet të zhvillohet në një distancë të konsiderueshme nga zonat e banuara.

Në tabelën e lejes së ndërtimit, objekti përshkruhet si “ndërtim i fabrikës së tekstileve, dy kate mbi tokë”, me zhvillues kompaninë “KAYO” dhe sipërmarrës “MSSC Group shpk”. Banorët dhe përfaqësues të opozitës ngrenë pikëpyetje mbi përputhshmërinë mes këtij përshkrimi dhe dyshimeve për aktivitet ushtarak, duke kërkuar sqarime të plota nga institucionet përgjegjëse.

Sipas Vangjelit, situata përbën një problem që shkon përtej një konflikti lokal, pasi prek çështje thelbësore si e drejta e pronës, siguria publike dhe transparenca në vendimmarrje. Ajo bëri thirrje për hetim të plotë dhe të pavarur, pezullim të punimeve deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe garantim të respektimit të ligjit.

Banorët kanë depozituar kallëzim penal dhe kanë paralajmëruar se do ta ndjekin çështjen në të gjitha hallkat ligjore, përfshirë edhe në instanca ndërkombëtare, nëse do të jetë e nevojshme.

Opozita thekson se çdo ndërhyrje mbi pronën private duhet të bazohet në procedura të qarta, informim të plotë dhe respektim të të drejtave kushtetuese të qytetarëve, ndërsa kërkon që institucionet të japin përgjigje transparente për natyrën reale të projektit që po zhvillohet në Kodër Babrru.

Deklarata e GENTA VANGJELIT:

Qeveria po rrëmben pronat private dhe po rrezikon jetën e qytetarëve në Kodër Babrru.

Qytetarë në Kodër Babrru, Tiranë, u shprehën se po ndodh një skandal i rëndë me pronën private të familjes Dervishi

Pronat me nr. 173 dhe 174, të njohura nga kadastra si pronë e kësaj familjeje, janë kaluar te Ministria e Mbrojtjes për llogari të kompanisë “Kayo”, pa transparencë, pa sqarim publik dhe pa respekt për të drejtën kushtetuese të pronës.

Sot, toka e qytetarëve është e rrethuar me portë hyrëse dhe ruhet nga ushtarë.

Pronarët ndalohen të hyjnë në pronën e tyre.

Nuk ka tabelë informuese për kufizimet.

Ka vetëm forcë, heshtje dhe arrogancë.

Dhe si të mos mjaftonte kjo, sipas denoncuesve vetëm 5 metra larg banesave po ndërtohet një fabrikë municionesh dhe njësi për demontimin e armëve, një aktivitet me rrezikshmëri të lartë, që sipas standardeve të sigurisë duhet të jetë të paktën 1.5 kilometra larg zonave të banuara – u shprehën ata.

Në tabelën informuese të lejes së ndërtimit shkruhet objekti “ndërtim i fabrikës së tekstileve, dy kate mbi tokë”. Zhvillues: “Kayo”. Sipërmarrës: “MSSC Group shpk”.

Kompani këto që nuk shquhen për vizionin e tyre drejt tekstileve, linosë a basmës por për tregtimin e armëve dhe monucioneve të rënda ushtarake.

Nëse aty vërtet do të ndërtohet fabrikë armësh dhe demontimi siç banorët denoncojnë, atëherë kemi të bëjmë me një mashtrim të hapur publik dhe me fshehje të qëllimshme të natyrës reale të projektit.

Kanë depozituar edhe kallëzim penal.

Kanë paralajmëruar se do ta ndjekin çështjen deri në Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut… dhe  kanë shumë të drejtë….

Kjo nuk është një çështje lokale.

Kjo është provë e një modeli qeverisjeje që shkel pronën private, përdor institucionet e sigurisë për të frikësuar qytetarët dhe vendos interesa të dyshimta mbi jetën e familjeve shqiptare.

Askush nuk ka mandat për të grabitur pronën e qytetarëve.

Askush nuk ka të drejtë të kthejë lagjet e banuara në zona industriale të rrezikshme.

Partia Demoratike qëndron në krah të qytetarëve dhe kërkon hetim të plotë dhe transparent, pezullim të menjëhershëm të punimeve dhe rikthim të ligjshmërisë.

Nëse shteti nuk mbron qytetarët e vet, qytetarët do të mbrojnë vetveten me çdo mjet demokratik që u jep ligji .

Për këto arsye dhe shumë të tjera të gjithë së bashku më 20 Shkurt ti japim Edi Ramës dhe qeverisjes së tij atë që meriton…..

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.