E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denoncimi: Kurorën e gjelbër të Dhërmiut po e masakrojnë
Lajme

Denoncimi: Kurorën e gjelbër të Dhërmiut po e masakrojnë

Një denoncim ka ngritur shqetësime për ndërhyrje që po kryhen në zonën kodrinore mbi vijën bregdetare të Dhërmiut.

Sipas qytetarit që ka dërguar pamje nga zona, mjete të rënda pune janë duke operuar në shpatet mbi plazh, ku pretendohet se po kryhen gërmime dhe pastrime të sipërfaqeve të mbuluara me bimësi.

Në pamjet e publikuara dallohen ekskavatorë që punojnë në terrenin kodrinor mbi zonën turistike, ndërsa ngrihen shqetësime për ndikimin që këto ndërhyrje mund të kenë mbi peizazhin natyror të një prej zonave më të njohura të Rivierës Shqiptare.

“Po i bëjnë masakër kurorës së gjelbër të Dhërmiut. Çdo ditë futen eskavatorë dhe po copëtojnë malin. Nëse vazhdon kështu, nuk do të mbetet më asgjë nga natyra që e bën këtë zonë kaq të veçantë”, shprehet qytetari në denoncimin e tij.

Sipas tij, punimet po zhvillohen në kulmin e sezonit turistik, në një zonë ku ndërthurja mes malit dhe detit përbën një nga elementët kryesorë të identitetit të Dhërmiut.

Për këtë situatë kërkohet ndërhyrja e institucioneve përgjegjëse për të verifikuar natyrën e punimeve, dokumentacionin përkatës dhe nëse ndërhyrjet janë në përputhje me lejet dhe legjislacionin në fuqi.

Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet për të sqaruar qëllimin e punimeve apo statusin ligjor të tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.