E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denoncimi: Lulishtja publike në Golem kthehet në parking dhe beach bar pa leje
Denoncime

Denoncimi: Lulishtja publike në Golem kthehet në parking dhe beach bar pa leje

Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al ngre shqetësime serioze mbi një ndërhyrje të dyshuar abuzive në një hapësirë publike në zonën e plazhit të Golemit. Sipas qytetarëve denoncues, lulishtja pranë rrethrrotullimit të njohur si “Meteora” është shkatërruar dhe transformuar në mënyrë të paligjshme në parking dhe ambient shërbimi plazhi.

Pamjet e siguruara tregojnë një sipërfaqe që dukshëm ka humbur funksionin e saj si hapësirë e gjelbër. Zona rezulton e mbuluar me çakull dhe e shfrytëzuar për parkim automjetesh, ndërsa në të njëjtin territor raportohen edhe struktura që i shërbejnë një aktiviteti tip “beach bar”.

Sipas informacionit të dhënë, kjo ndërhyrje dyshohet të jetë kryer nga një individ i identifikuar si Bruno Okshtuni. Denoncuesit pretendojnë se aktiviteti është ngritur pa lejet përkatëse, ndërkohë që institucionet përgjegjëse – përfshirë Bashkinë Kavajë, Policinë e Shtetit, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit – nuk kanë reaguar.

Një tjetër element shqetësues i ngritur në denoncim lidhet me konkurrencën e padrejtë. Subjekte hoteliere që operojnë në zonë pretendojnë se hasin vështirësi në përfitimin e hapësirave të ligjshme për stacione plazhi, ndërkohë që, sipas tyre, individë të paautorizuar zënë hapësira publike dhe ushtrojnë aktivitet pa asnjë pengesë.

“Ne kemi biznese të rregullta dhe nuk na jepen stacione plazhi, ndërsa të tjerë vijnë, zënë lulishten publike dhe bëjnë çfarë të duan”, thuhet në denoncim.

Vetëm disa muaj më parë, sipas hartave dhe pamjeve të mëparshme, kjo sipërfaqe rezultonte një lulishtje funksionale, e gjelbëruar dhe në shërbim të komunitetit.

Rasti ngre pikëpyetje mbi zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e hapësirave publike në një nga zonat më të frekuentuara turistike të vendit. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet e përmendura.

Publik.al pret një reagim nga autoritetet përkatëse për të sqaruar ligjshmërinë e ndërhyrjes dhe për të marrë masa, nëse konstatohen shkelje.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.