Pse i ka ulur Toni Gogu flamujt në gjysmështizë te Ministria e Drejtësisë?
Një qytetare i është drejtuar redaksisë së Publik.al me një denoncim lidhur me vendosjen në gjysmështizë të flamurit shqiptar dhe atij të Bashkimit Evropian në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë.
Në një video të mbërritur në redaksi, pamjet e së cilës janë verifikuar nga Publik.al, shihen dy flamujt e vendosur në gjysmështizë në godinën e Ministrisë së Drejtësisë.
Qytetarja ngre pikëpyetje mbi arsyen e këtij veprimi dhe kërkon të dijë nëse bëhet fjalë për një vendim zyrtar apo për një tjetër arsye.
“Pse i ka ulur flamujt në gjysmështizë Toni?”, shprehet ajo, duke iu referuar ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Sipas qytetares, flamuri shqiptar dhe ai i BE-së zakonisht vendosen në gjysmështizë në raste zie kombëtare apo ngjarjesh të veçanta dhe, për këtë arsye, ajo kërkon një shpjegim publik për situatën e konstatuar në godinën e ministrisë.
Denoncuesja e lidh gjithashtu këtë situatë me disa materiale video që janë shpërndarë ditët e fundit në rrjetet sociale dhe që kanë përfshirë figura publike. Ajo ngre pyetjen nëse ulja e flamujve ka lidhje me këto zhvillime, pa paraqitur prova që të vërtetojnë një lidhje të tillë.
Në denoncimin e saj, qytetarja i referohet edhe një daljeje televizive të ministrit Toni Gogu gjatë mbrëmjes së kaluar, duke pretenduar se ai ka dhënë deklarata që, sipas saj, nuk përputhen me të vërtetën.
“I ka ulur për videot që kanë dalë dhe do dalin? Apo për ato që tha mbrëmë në ‘Opinion’?”, shprehet qytetarja në denoncimin e dërguar në redaksi.
Pamjet e publikuara nga Publik.al tregojnë godinën e Ministrisë së Drejtësisë dhe dy flamujt të vendosur në gjysmështizë, ndërsa arsyeja zyrtare e këtij veprimi nuk dihet.
Për këtë arsye, mbetet për t’u sqaruar nga vetë Ministria e Drejtësisë nëse vendosja e flamujve në gjysmështizë lidhet me ndonjë ceremoni, urdhër institucional, ditë zie apo një rrethanë tjetër të përcaktuar zyrtarisht.
Publik.al sjell denoncimin dhe pamjet e qytetares, ndërsa pretendimet e ngritura prej saj mbeten të tilla deri në një sqarim apo reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



