Denoncimi: Ndërtimet po bllokojnë rrugët drejt plazhit në Golem
Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e Publik.al nga një qytetare, e cila shpreh shqetësimin për gjendjen e dy rrugëve që lidhin zonën e banimit me vijën bregdetare, në një nga zonat më të frekuentuara turistike të Golemit.
Sipas qytetares, rrugët që shërbejnë si akses i drejtpërdrejtë drejt detit janë bllokuar ose vështirësuar ndjeshëm për shkak të punimeve të ndërtimit që po zhvillohen pranë tyre.
Pamjet tregojnë qartësisht një segment rrugor të mbushur me materiale inerte, grumbuj rëre dhe mjete ndërtimi, teksa në afërsi po ndërtohen objekte shumëkatëshe në prag të sezonit turistik veror.
Qytetarja sqaron se bëhet fjalë për dy rrugë të rëndësishme që përdoren nga banorët dhe pushuesit për të arritur në plazh.
“Rruga e parë është ajo që del te Amelia Mare dhe lidhet me zonën ku ndodhen disa pallate pranë detit. Rruga e dytë është pranë kompleksit Meteor, aty ku po ndërtohen pallate të reja”, thuhet në mesazhin e mbërritur në redaksinë e Publik.al.
Sipas saj, problematika nuk është e re, por vazhdon prej kohësh pa marrë një zgjidhje konkrete, ndërsa afrimi i sezonit turistik e bën situatën edhe më shqetësuese për banorët dhe vizitorët e zonës.
Qytetarja u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të verifikojnë situatën në terren dhe të marrin masa për garantimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurt drejt bregdetit.
Publik.al sjell këtë shqetësim në vëmendje të autoriteteve vendore dhe institucioneve përgjegjëse, duke mbetur i hapur për çdo reagim zyrtar lidhur me këtë problematikë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




