E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denoncimi: Plazhin publik në Jalë e kanë kthyer në pronë private
Denoncime

Denoncimi: Plazhin publik në Jalë e kanë kthyer në pronë private

Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al ngre shqetësime serioze mbi atë që qytetarët e konsiderojnë si zaptim të hapësirave publike në plazhin e Jalës, një prej destinacioneve më të frekuentuara turistike në bregdetin shqiptar.

Sipas denoncueses, një pjesë e plazhit publik është rrethuar me shirita sinjalizues, duke kufizuar aksesin e pushuesve në zona që, sipas dokumentacionit të publikuar prej saj, rezultojnë të jenë hapësira publike dhe jo private.

Pamjet e dërguara në redaksi tregojnë shezlongë dhe çadra plazhi të vendosura brenda një perimetri të kufizuar me shirita kuqe e bardhë, ndërsa qytetarët pretendojnë se kjo zonë po administrohet si pronë private, duke penguar përdorimin e saj nga pushues të tjerë.

Denoncuesja ka përcjellë gjithashtu një hartë ku shfaqen parcelat e plazhit të administruara me kontrata sezonale, duke pretenduar se zona e rrethuar ndodhet në një hapësirë publike dhe jo në një sipërfaqe të dhënë me kontratë për përdorim privat.

“Ky është plazhi publik që ata e kanë zaptuar dhe e kanë rrethuar me shirita për veten e tyre. Në vilën ushtarake vijnë pushues që nuk kanë lidhje me institucionet ushtarake dhe hapësira është kthyer në biznes privat”, thuhet në denoncimin e mbërritur në redaksi.

Sipas saj, problematika nuk kufizohet vetëm te plazhi. Qytetarja pretendon se edhe një mol në zonën e Jalës po përdoret ekskluzivisht nga një rezidencë ushtarake, ndërsa qytetarëve të zakonshëm nuk u lejohet qasja.

Një tjetër shqetësim lidhet me lëvizjen e mjeteve lundruese pranë pushuesve. Denoncuesja pretendon se mjeti hyn çdo ditë në një hapësirë që duhet të jetë e rezervuar për sigurinë e pushuesve.

“Ky mjet lundrues lundron çdo ditë në zonë të kufizuar mes pushuesve. Është mjet i rezidencës ushtarake që ka bllokuar molin e Jalës dhe ka zaptuar hapësirën publike të plazhit”, shprehet ajo.

Sipas pretendimeve të ngritura në denoncim, fëmijët dhe banorët e zonës nuk lejohen të përdorin molin apo të qëndrojnë në pjesë të caktuara të plazhit, me argumentin se bëhet fjalë për territor të rezervuar.

Qytetarja identifikon si përgjegjës për situatën drejtorin e rezidencës në fjalë, ndërsa kërkon ndërhyrjen e institucioneve për të verifikuar ligjshmërinë e kufizimeve të vendosura në plazh dhe në hapësirat përreth.

Publik.al sjell këtë shqetësim në vëmendje të institucioneve përgjegjëse dhe mbetet i hapur për reagimin e të gjitha palëve të përfshira, me qëllim sqarimin e plotë të situatës dhe verifikimin e pretendimeve të ngritura nga qytetarët.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.