Denoncimi: Spitali Francez në QSUT, maja e ajsbergut
“Aty është kalbur çdo gjë”
Pretendime për favorizime dhe kontroll mbi shërbimet ndaj pacientëve
Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si funksionojnë shërbimet në Spitalin Francez pranë QSUT-së. Qytetari që ka kontaktuar redaksinë pretendon se problemet nuk kufizohen vetëm te rastet e bëra publike, por lidhen edhe me mënyrën e organizimit të punës, rolin e koordinatorëve dhe orientimin e pacientëve.
“Ajo është maja e ajsbergut. Aty është kalbur çdo gjë”, shkruan denoncuesi, duke iu referuar një videoje të publikuar për Spitalin Francez.
Në mesazhet e dërguara në redaksi, ai ndalet te një punonjëse e identifikuar si Anita, për të cilën pretendon se ka një rol të rëndësishëm në mënyrën se si organizohet pritja e pacientëve dhe se kush merr shërbim. Sipas tij, kjo punonjëse përcakton se kush pritet dhe kur, ndërsa ndikimi i saj, siç pretendon denoncuesi, shtrihet edhe te puna e mjekëve.
Një tjetër shqetësim lidhet me ekzaminimet dhe ndërhyrjet për pacientët. Në denoncim përmenden skaneri i syrit dhe ndërhyrjet për kataraktin. Qytetari pretendon se edhe në këto raste ka probleme me organizimin e shërbimit dhe me mënyrën se si pacientët orientohen për të marrë trajtimin e nevojshëm.
Ai ngre gjithashtu pikëpyetje mbi rolin e koordinatorëve, të cilët duhet të ndihmojnë pacientët dhe të lehtësojnë marrjen e shërbimeve. Sipas denoncuesit, në praktikë kjo nuk ndodh siç duhet, ndërsa administrimin e institucionit e përshkruan si një tjetër problem që kërkon vëmendje.
Mesazhet përmbajnë edhe pretendime për ndikime dhe favorizime të mundshme, por redaksia nuk ka siguruar deri tani prova të pavarura që t’i konfirmojnë ato.
Denoncimi ngre një çështje që prek drejtpërdrejt pacientët: A funksionon organizimi i shërbimeve në Spitalin Francez sipas rregullave dhe nevojave mjekësore, apo ka ndërhyrje që ndikojnë në mënyrën se si ata marrin shërbim?
Publik.al do të kërkojë një reagim nga drejtuesit e QSUT-së dhe strukturat përgjegjëse për të sqaruar pretendimet e ngritura nga qytetari. Deri në një verifikim të plotë, ato mbeten akuza të denoncuesit dhe jo fakte të provuara.
Redaksia është e hapur për të publikuar edhe qëndrimin e personave të përmendur, në mënyrë që çështja të marrë përgjigje dhe publiku të informohet mbi atë që ndodh në një prej strukturave të rëndësishme të shërbimit spitalor në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





