Deputetja e PS, e bëri burrin prokuror në Tiranë. Si u nda KLP 5 me 5 dhe kush vendosi
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me 5 vota pro, caktoi prokuror në Prokurorinë e Tiranës Bledar Valikajn, bashkëshortin e deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj.

DEPUTETJA E PS, ERMONELA FELAJ ME BASHKESHORTIN BLEDAR VALIKAJ
Ne seancen debatit, Valikaj mes debatesh mori statusin e magjistratit, ndërsa në mbledhjen e djeshme, me votën e kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, u emërua në Prokurorinë e Tiranës.
“Miratohet me 5 vota pro caktimi në detyrë i prokurorit Bledar Valikaj në Prokurorinë e Shkallës së Parë Tiranë”, njoftoi KLP-ja. Në kushtet kur Këshilli ka 10 anëtarë, votat pro dhe kundër ishin ndarë në mënyrë të barabartë, ndërsa sipas Ibrahimit, në të tilla raste ligji parashikon se është vota e kryetarit që vendos. Kështu, Valikaj, edhe pse ishte një vend i lirë për në Prokurorinë e Krujës, u caktua për të ushtruar detyrën në kryeqytet.
Referuar ligjit për 115/2016 “Për organet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në nenin 166 parashikohet se “Kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, vota e kryetarit është përcaktuese”, kështu ishte edhe në mbledhjen e djeshme. Ndërkohë, në lidhje me statusin e magjistratit, në seancën e 25 marsit dy prej anëtarëve të KLP-së, Arben Dollapaj dhe Nurihan Seiti, u shprehën se ky vendim ishte në shkelje të ligjit të ri dhe se duhej bërë një rekursim i vendimit dhe pezullim i vendimit të Gjykatës.
Gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, anëtari i KLP-së, Arben Dollapaj, është shprehur kundër pranimit të kërkesës së Valikajt, pikërisht për ndryshimet e reja në ligj, që parashikon se prokurori duhet patjetër të përfundojë Shkollën e Magjistraturës. “Në këtë çështje kemi Kushtetutën, themelin e shtetit tonë dhe një vendim gjykate. Në këtë kuadër, pa diskutuar elemente të tjera, unë mendoj se e vetmja zgjidhje ligjore është rekursimi i vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ.
Shoqëruar kjo, me pezullimin e ekzekutimit të vendimit, për shkak të efekteve të pariparueshme që mund të japë ekzekutimi i tij”, tha Dollapaj. E të njëjtit mendim ishte edhe Nurihan Seiti, e cila tha se në Gjykatën e Apelit Administrativ, në fund të një vendimi 40 faqe është diskutuar dhe është vendosur mbi një marrëdhënie, e cila ka ndodhur para hyrjes në fuqi të paketës së re të drejtësisë.
Sipas saj, Kushtetuta e Shqipërisë, e ndryshuar, ka të përcaktuar qartë se, “Prokurorë mund të jenë shtetasit shqiptarë, që emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre”. Seiti shtoi se në asnjë pikë të ligjit, me ndryshimet e reja nuk parashikohet që prokurori të emërohet me një vendim gjykate, që detyron institucionin e ri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



