Dervishi: Afera e pronave rast i rëndë, Monika dhe ‘i gjati’ në qendër
Gazetari Ferdinand Dervishi ka folur për dosjen e njohur si “Rrumi i Shijakut”, duke theksuar se për herë të parë është bërë një goditje serioze ndaj mafies së pronave në Shqipëri.
Sipas tij, ky grup kriminal synonte prona të pabanuara dhe prona të shtetit, duke përdorur mashtrimet me pronat e ligjshme të fshatarëve. Më pas kryheshin falsifikime në Hipoteka për t’i legalizuar këto prona.
Në dosje përmendet edhe emri i Monika Kryemadhit.
“Nëse kishte një mafie pronash të fuqishme në Shqipëri, ishte ky grup. Kishte shumë zëra për të, por nuk ishte goditur seriozisht më parë. Tani kemi një goditje të rëndësishme ndaj mekanizmit më të madh kriminal në Shqipëri, i cili merrej me pronat në Gjirin e Lalzit. Ky grup ishte shumë i fuqishëm,” shpjegon Dervishi.
Ai tregon se në përgjime zbulohet një konflikt midis këtij grupi dhe bandës së vjetër të Durrësit, me emra si Lul Berisha dhe Plaurent Dervishaj. Grupi nuk ngurroi të organizonte edhe atentate për të ruajtur interesat e tij. Përfitimet vinin nga shitja e pronave të shtetit dhe qytetarëve në zonën turistike të Gjirit të Lalzit.
“Skema nuk është e re, por e njohur për më shumë se 20 vjet. Përmes bashkëpunimit me fshatarët, ata manipulonin tokat – i thonë se toka tjetër është e jotja sepse e ke përdorur si kullotë, dhe pastaj falsifikonin dokumentet në Hipoteka. Kështu, toka paraqitej si pronë e kthyer fshatarit dhe shitej me një çmim minimal, që edhe fshatari e priste,” shpjegon gazetari.
Në dosje figurojnë të paktën 20 prona të përfshira në këtë skemë, përfshirë një pronë që i përkiste Kujtim Dervishit. Kjo pronë në vitin 2005 ishte 14 mijë metra katrorë, ndërsa tani rezulton 24 mijë metra katrorë, ku pjesa shtesë është falsifikuar duke e paraqitur tokën pyjore si pemishte.
Pronën e falsifikuar ia kanë shitur dikujt që rezulton të jetë Andi Maloku, shoferi që u vra në një atentat makine. Shitja u bë me vetëm 2 milionë lekë, ndonëse vlera reale ishte 100-200 herë më e madhe.
Më bëri përshtypje që si ka mundësi që ishin 5-6 emra dhe kush janë këta që i kanë bërë këto punë te Kadastra. I gjati që përdoret mund të jetë Edi Rama. Flitet një muaj, muaj e gjysmë pas tërmetit, kur kërkoheshin leje për ndërtime. Nuk mund të hedhësh baltë. Ishte më i rëndë rasti ku përmendet Monika, pasi flitet për vota,” tha Dervishi për MCN.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



