Dëshmia/ Babai i Kaçifës, tri orë te Krimet e Rënda. Kërkesa që i bëri prokurorisë
Babai i minoritarit grek Konstantinos Kaçifas, i cili u vra nga forcat RENEA pasi hapi zjarr në fshatin Bularat, ishte ditën e djeshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku dha deklarimet e tij për ngjarjen.

Rreth orës 12:00, i shoqëruar edhe nga avokatët grekë, Janis Kaçifas hyri në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe për më tepër se dy orë qëndroi me prokurorët e çështjes, ku dha edhe deklarime për të birin.
Jani Kaçifas ka kërkuar që të tërheqë trupin e të birit në mënyrë që të kryejë ceremoninë mortore, por Krimet e Rënda i kanë thënë se duhet të presë deri sa të përfundojë ekspertiza e Mjekësisë Ligjore.

Kaçifas është ftuar nga prokurorët edhe që të paraqesë pretendimet e tij për ngjarjen e ndodhur në Bularat, por ndryshe nga sa raportojnë mediat greke, babai i 35-vjeçarit ka kërkuar vetëm trupin e djalit dhe të zbardhen arsyet se përse ai ndërmori sulmin me armë ndaj Policisë. Për këtë, priten të thirren edhe dëshmitarë të tjerë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Grupi hetimor e ka pyetur Jani Kaçifën dhe për sjelljen e tij gjatë kohës që ishte në Bularat. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje të 73-vjeçarit, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë qenë prezentë edhe korrespondentë të dy mediave greke, “Star” dhe “Alpha”. Gazetarët kanë pritur të marrin deklarimet e Jani Kaçifës pasi të përfundonte seanca e marrjes në pyetje, mirëpo 73- vjeçari u është shmangur mediave, qoftë shqiptare edhe greke, duke shfrytëzuar një dalje tjetër të godinës së Krimeve të Rënda.
Përpos të gjitha pretendimeve të familjarëve dhe mediave greke, se Kostantinos Kaçifas është vrarë nga një distancë e afërt, nga hetimet e deritanishme, organet kompetente të hetimit kanë dalë në konkluzionin se forcat speciale RENEA kanë kryer detyrën.
Nga raportshërbimi i bërë nga SHÇBA, rezultoi se veprimet e forcave speciale, që kishin nisur me një kontroll të terrenit e më pas me lokalizimin e 35- vjeçarit ishin brenda të gjitha rregullave dhe se kanë qëlluar pasi Kaçifas është treguar agresiv dhe ka qëlluar duke rrezikuar jetën e punonjësve.
Ndërkohë, nga ana e Krimeve të Rënda po bëhet një hetim më i thelluar në dy drejtime, së pari do të shikohet distanca e qëllimit, për të shuar dyshimet e familjarëve dhe së dyti do të hetohen shkaqet e ngjarjes. Ndërkohë, nga këqyrja e vendit të ngjarjes është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të një arme automatike, model Kallashnikov, dy karikatorë municioni, një çantë me fishekë luftarakë, si dhe 31 gëzhoja.
Në banesën e shtetasit Konstantinos Kaçifas u sekuestrua edhe një uniformë kamuflazh. Kujtojmë se në rrjetet sociale, 35-vjeçari Konstaninos Kaçifas shfaqte një profil të një personi ekstremist, ndërsa bënte thirrje për bashkime të të rinjve që të luftonin për bashkimin e Epirit të Veriut, siç e quante ai Shqipërinë e Jugut, me pjesën tjetër të Greqisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



