E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dëshmia e biznesmenit: Ua ktheva galerinë, borxhin do t’ua shlyej. Policia kërkon vrasësit në Tiranë-Durrës-Elbasan Apr
Lajme

Dëshmia e biznesmenit: Ua ktheva galerinë, borxhin do t’ua shlyej. Policia kërkon vrasësit në Tiranë-Durrës-Elbasan Apr

Rrahim Dedja dhe Ilir Cami janë dy personat që kanë dëshmuar në lidhje me vrasjen e Iljaz Çalit.

Të dy biznesmenë kromi, të dy në probleme konfliktuale me viktimën dhe të dy kanë rezultuar se janë përplasur me të për çështjen e minierave të kromit në Bulqizë.

Duke iu referuar të dhënave që dalin nga grupi hetimor, bëhet me dije se Dedja ka mohuar jo vetëm përfshirjen në vrasje, por edhe shumën që ka deklaruar dy ditë më parë vëllai i viktimës, Zeqir Çali. Ai i ka thënë grupit hetimor që bëhet fjalë për një sasi rreth 350 mijë euro mall që ende nuk ia ka shlyer po jo aq sa thuhet.

Ndërkohë që ende nuk dihen detaje në lidhje me dëshminë që ka dhënë Ilir Cami, ky i fundit ka mohuar përfshirjen në vrasje por nuk dihet ende se çfarë ka dëshmuar mbi konfliktin që kanë gjeneruar prej kohësh me viktimën në Bulqizë. Prokuroria ka kërkuar të sekuestrojë praktikat e denoncimeve dhe dëshmive respektive që janë lënë në policinë dhe akuzën lokale.

Referuar informacioneve konfidenciale, bëhet me dije se grupi hetimor ka edhe pista të tjera hetimi, nga ku po gjurmohet për të shkuar te vrasësit dhe personat që kanë kërkuar ekzekutimin e biznesmenit të kromit, Iljaz Çali.

Ndërkohë bëhet me dije se hetimet janë përqendruar edhe tek biznesi që gjendet në emrin e vëllezërve Çali, nga ku duket se çështja e ekzekutimit të të riut zgjerohet në disa rrethe të vendit.

Policia bëri me dije se ka dyshime të forta se djali nga Rinasi i Ri të jetë ekzekutuar për shkak të përplasjeve për shfrytëzimin e hapësirave të kromit, ndërsa përveç Bulqizës dhe Tiranës, hetimet mësohet se janë shtrirë në Elbasan, Durrës dhe Fushë-Krujë!

KONFLIKTET PËR MINIERAT

Rrahim Dedja, nga Bulqiza, ka dëshmuar me detaje marrëveshjet dhe borxhin që iu ka vëllezërve Çali. Ai nuk ka mohuar asgjë nga sa është thënë prej Zeqirit, vëllait të viktimës, përveç shifrës prej 1 milion eurove që ka pretenduar ky i fundit në prokurori.

Ai i tha grupit hetimor se kishte bërë një marrëveshje që në vitin 2016 me vëllezërit Çali për të shfrytëzuar galerinë e tyre por që ai ka dëshmuar se një pjesë të borxhit ia ka shlyer të ndjerit ndër vite ndërsa i ka borxh ende një shifër që do t‘ua shlyejë vëllezërve të Iljazit.

Ai ka mohuar të ketë pasur asnjë problem me Iljazin ndërkohë që për momentin e ekzekutimit ka thënë se ka qenë në shtëpi kur ka ndodhur vrasja dhe se e ka mësuar nga televizori lajmin e ekzekutimit të tij. Po ashtu, ai ka thënë se tashmë ua ka kthyer galerinë vëllezërve dhe se ai nuk ua ka mohuar asnjëherë borxhin që iu ka.

“RIVALITETI” ME CAMIN

Duke iu referuar regjistrit të lejeve minerare aktive bie në sy edhe prania e të gjithë emrave që janë të përfshirë në historinë e përplasjeve mes palëve. Sipas të dhënave që vijnë nga ky regjistër shihet se djemtë e familjes Çali kanë tri leje shfrytëzimi.

Përveç lejes që është dhënë për galeritë e Bulqizës, ata kanë leje shfrytëzimi edhe në Kukës dhe Tropojë. Leja për shfrytëzimin në Bulqizë dhe në Tropojë janë në emrin e Madi Çalit, djalit të tretë të familjes Çali, ndërsa ajo e Kukësit është në emrin e Zeqir Çalit.

Referuar këtij regjistrit shihet se “Mineral Invest” sh.p.k. ka të drejtë të shfrytëzojë galerinë 29 në zonën D, ndërsa “Drini Bulqiza” sh.p.k. ka të drejtë shfrytëzimi në galeritë 45-47 deri te galeria 29 në zonën D. Pikërisht, këtu pretendohet të ketë nisur edhe konflikti mes palëve pasi kanë akuzuar njëra-tjetrën për ‘shkelje’ territori.

Sipas të dhënave hetimore, mësohet se të palët kanë bërë denoncime në komisariatin e Bulqizës por ende nuk dihet se cili ka qenë konflikti real mes tyre dhe se si ka vijuar procedura e kësaj çështjeje, nëse i është kaluar Prokurorisë apo jo.

Gjithsesi ky konflikt është ndër më të dyshuarit aktualisht nga prokuroria, ndonëse Ilir Cami është lënë i lirë pas dhënies së dëshmisë. Ai ka refuzuar të ketë konflikte të këtij niveli me djemtë e familjes Çali e aq më tepër të jetë përfshirë në ekzekutimin e Iljazit.

KËRKIMI I AUTORËVE

Referuar të dhënave të policisë së shtetit bëhet me dije se kërkimi i autorëve të ekzekutimit të Iljaz Çalit është shtrirë deri në Elbasan. Në sitë janë kaluar dhe po kalohen edhe Tirana dhe Durrësi ku ekspertët e policisë Kriminale po studiojnë të gjithë personat e dyshuar të cilët shtrihen deri në Fushë-Krujë.

Sipas burimeve policore mësohet se ka dyshime që autorët mund ta kenë ndjekur viktimën që nga momenti që është ndarë me vëllanë ku ka pirë kafe, më pas në rrugën e Elbasanit, nga ku edhe ka marrë Unazën e Re për të hyrë më pas në rrugën dytësore ose siç njihet ndryshe rruga Industriale.

Policia dyshon se autorët kanë ecur paralel me viktimën në autostradë, duke i prerë rrugën te kthesa e Rinasit dhe më pas të kenë ardhur në drejtim të Tiranës në të njëjtën rrugë që ka udhëtuar përherë të fundit viktima.

Duke pasur parasysh mungesën e ndriçimit, autorët e kanë pasur të lehtë të dalin te “Kthesa e Kamzës” dhe më pas të kalojnë Tiranën të zhytur në errësirë.

Kamerat e bizneseve të mëdha të kësaj rruge nuk kanë mundur të fiksojnë asnjë automjet në ngjitje për shkak se korsia është e largët me pamjen ndonëse shumë prej tyre kanë ndriçim të mjaftueshëm në një perimetër të caktuar për shkak të reklamave të mëdha të tyre.

Po ashtu policia ka dyshime të forta se atentatorët të jenë larguar nga Tirana në drejtim të Elbasanit edhe për faktin se Durrësi, Tirana dhe fushë-Kruja do të futeshin në rrethim nga ana e policisë.

Ndonëse natën e vrasjes, Elbasani ka qenë i blinduar nga policia për shkak të ngjarjes së rëndë që ndodhi në Papër dhe që policia po kërkonte atentatorët e Nuredin Dumanit, dyshohet se vrasësit e Çalit e kanë pasur të lehtë të hyjnë ndërkohë që vëmendja ka qenë e spostuar te përplasja e dhunshme dhe demonstrative e grupeve të krimit në qytet.

Hetimi “instalohet” te minierat e kromit

Djemtë e familjes Çali, të cilët mësohet se janë praktikantë të besimit islam, i kanë pohuar Policisë se dy njerëzit me të cilët kanë pasur në mënyrë të vazhdueshme probleme kanë qenë Rrahim Dedja dhe Ilir Cami.

Me të dy këta persona viktima Iljaz Çali, i cili prej shumë vitesh zotëronte kompani shfrytëzimi minerar, kishte një konflikt të hapur për sa i përket gërmimeve të paligjshme që kryheshin në territorin e tij të shfrytëzimit dhe moskthimin e borxheve financiare. Rrahim Dedja, sipas vëllezërve Çali, kishte blerë një sasi prej 2400 ton mineral krom, me vlerë prej 1 milion euro.

Kjo sasi financiare sipas vëllezërve Çali, nuk i ishte kthyer dhe për pasojë kishin lindur për më shumë se tre vitesh konfliktet verbale mes palëve. Rrahim Dedja, rezulton të jetë dhe anëtar në Këshillin Bashkiak të Bulqizës.

Si Rrahimi dhe Ilir Cami, janë shoqëruar në Polici, ku dhe kanë deklaruar mbi përplasjet që kanë pasur me viktimën dhe vendndodhjen e tyre mbrëmjen kur është kryer vrasja në autostradë.

©

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.