Dëshmia tronditëse e vartëses që ‘fundos’ Belën dhe Berberin
SPAK: Balluku etyroi vartësen Kashnica të firmoste tenderin e Tunelit të Llogarasë
Vartësja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku ka rrëfyer para SPAK se është detyruar të firmosë dokumentacionin për tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, nën presionin e ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, pas kësaj dëshmie rezulton se Belinda Balluku ka ushtruar presion dhe frikësim ndaj vartëses së saj, rrethana që – sipas SPAK – provohen edhe nga përgjimet. Këto elemente janë pasqyruar në kërkesën që SPAK i ka dorëzuar Kuvendi për marrjen e lejes për arrestimin e zëvendëskryeministres.
E pandehura Mirzeta Kashnica ka deklaruar se, në procedurën e parë të prokurimit për ndërtimin e Tuneli i Llogarasë, e cila më pas u anulua, ajo – në cilësinë e anëtares së Komisionit të Vlerësimit të Ofertave – kishte vlerësuar se operatori ekonomik Gjoka Konstruksion sh.p.k. i përmbushte kriteret dhe duhej të shpallej fitues.
Sipas deklarimeve të saj, ky qëndrim iu është përcjellë me email anëtarëve të tjerë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe, për dijeni, edhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë. Ajo ka sqaruar se menjëherë pas dërgimit të email-it, rreth orës 17:05 – pa u mbyllur ende procesi i vlerësimit në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik – është telefonuar nga Evis Berberi, i cili i ka kërkuar të mos shprehej me email.
Mirzeta Kashnica ka deklaruar se Berberi i ka komunikuar se, pasi ai të kishte folur dhe procedura të ishte mbyllur, ajo do të anulohej, me argumentin se asnjë nga operatorët ekonomikë nuk ishte në rregull.
Në lidhje me procesverbalin e datës 18.03.2021 për vlerësimin e ofertave, ku u anuluan të gjitha ofertat e paraqitura, Kashnica ka pohuar se e ka nënshkruar dokumentin pasi ndaj saj është ushtruar trysni nga Evis Berberi për të vijuar procedurën. Sipas saj, Berberi ishte anëtar i komisionit dhe personi që diktonte vendimmarrjen e tij.
Po ashtu, në procedurën e rishpallur të prokurimit për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, ajo ka deklaruar se sa herë që mblidhej komisioni, anëtarët e tjerë merrnin vendime mes tyre dhe e intimidonin për shkak të qëndrimeve të saj.
SPAK thekson se Belinda Balluku po ushtron frikësim ndaj dëshmitarëve dhe se kjo përbën një nga arsyet kryesore për kërkesën drejtuar Kuvendit për marrjen e lejes për arrestimin e saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



