Dështimi i Magjistraturës. Anulohet faza e dytë e provimit për gjyqtar e prokuror

Skandali i manipulimit të provimit për magjistratët e rinj rëndohet më thellë kur sot është anuluar faza e dytë e provimit që ishte llogaritur të bëhej në orën 15:00.

Pas skandalit të djeshëm sot “Magjistratura” nxitoi të bëjë një deklaratë për mediat që nuk e shpërndau, por thjesht e nxorri në faqen zyrtare të shkollës.

Duke parë skandalin, Këshilli Drejtues i Shkollës u mblodh me urgjencë dhe anuloi provimin që Arben Rakipi kërkonte ta zhvillonte sot në orën 15:00 me 121 “fitues” që i nxorri me aparatin e tij “scantron”.

Rakipi pranoi para studentëve që “pajisja scantron ka lexur gabim pasi ju mungojnë nga 4 pikë”.

Studentët nga ana tjetër treguan se ky ishte një mashtrim. Ata thanë “Nëse do shtoheshin nga 4 pikë tek secili ndër ne sipas pretendimit të Arben Rakipit, lista e fituesve fillestare do ishte 69 vetë, jo 79 si doli”.

Lista e fituesve të fazës së parë u pasurua me 42 emra të tjerë deri në 2 të mëngjesit të ditës së sotme. Studentët tregojnë se në zyrat e Shkollës së Magjistraturës në mesnatë është bërë nami.

Pajisja e parë scantron që nxorri me nga 2, 5 apo 12 pikë gjithësej student që dolën më pas edhe fitues, u zëvendësua me një tjetër.

Nuk dihet kush e solli, por asnjë nga drejtuesit e shkollës nuk ishte aty nga ora 18:00 deri në orët e para të mëngjesit.

Pajisja e dytë scantron, doli me defekt – tregojnë disa studentët që ndenjën pa lëvizur tek “Poli i Drejtësisë” ku u bë rikorrigjimi. Pajisja e prapë llogariste gabim! Atëherë filloi “korrigjimi” manual në mes të natës.

Disa studentë u panë të marrin fletë të sekretuara dhe tezat për t`i parë vetë. Në errësirën e natës nuk dihet se si u futën emra të tjerë. Plasën telefonatat.

Arben Rakipi fiku telefonin dhe u zhduk – tregon një student i irrituar. Lista e mëngjesit është një “skandal” i paparë më parë në gjithë historinë e sistemit universitar shqiptar. U shtuan 42 vetë…Skandal apo manipulim kriminal?

Provimi i djeshëm po vë në pikëpyetje të gjitha provimet e viteve të fundit, ku kanë dalë kuadrot e lartë të sistemit të ri të drejtësisë.

A janë prokurorët dhe gjyqtarët e tre viteve të fundit prodhime defektoze të aparatit “scantron”?

A janë të futur me meritë apo manipulim?

Arben Rakipi dha “llogari” para disa orësh tek Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës.

Po kush janë anëtarët e këtij Këshilli që anuluan provimin e sotëm për të gjetur një rrugëzgjidhje për nesër?

Sokol Sadushi Kryetar i Gjykatës së Lartë

Olsian Çela Prokuror i Përgjithshëm

Arben Rakipi Drejtor i Shkollës së Magjistraturës

Naureda Llagami Kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor

Alfred Balla Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Ulsi Manja Ministër i Drejtësisë

Odise Moçka Avokati i Përgjithshëm i Shtetit

Genti Dokollari Gjyqtar

Albert Kulici Prokuror

Maksim Haxhia Kryetar i Dhomës së Avokatisë

Sokol Berberi Përgjegjës i Programit të Formimit Fillestar

Artan Hajdari Pedagog i brendshëm i Shkollës së Magjistraturës

Dashamir Kore Pedagog i brendshëm i Shkollës së Magjistraturës

Kryetari i këtij Këshilli është Sokol Sadushi, nënkryetari Olsian Çela. Arben Rakipi duhet të japë “llogari” para kolegëve të tij Maks Haxhia dhe Tan Hajdari, të dy ortakë të studios “Haxhia & Hajdari”.

Arben Rakipi duhet t’i përgjigjet edhe pyetjeve të ministrit Ulsi Manja, të cilin e ka emëruar prokuror kur vetë ishte Prokuror i Përgjithshëm.

Naureda Llagami prurje e Sokol Sadushit në sistem bashkë me Alfred Ballën janë të dy “sy e veshë” çfarë do thonë shefat.

Sokol Berberi, personi që mbyll “tezat” e provimit çdo vit në kasafortë është kunati i Fatmir Xhafës, i cili bashkë me emrat e rëndë të këtij Këshilli bënë Reformën në Drejtësi.

Garniturat Genti Dokollari dhe Albert Kuliçi, janë ende në role “studentore” në këtë Këshill, që sot mori një vendim që nuk mund të sistemojë diçka të prishur përfundimisht.

Shtyu provimin e shkatërruar nga një apparat elektronik i “pakolauduar”.

Dyshimet për manipulime nuk mund të faktohen më shumë se sa këtë herë, kur u prishën dy aparate scantron brenda ditës dhe doli një listë me 42 emra tepër pas mesnate.

Pritet që lista të shtohet, por a do rregullohet ajo çfarë u prish përfundimisht, besimi tek drejtësia e një procesi të rregullt përzgjedhës magjistratësh?

A do mbajë përgjegjësi Arben Rakipi për këtë skandal, apo përgjegjësia do i mvishet aparateve ”scantron” që i ka sjellë dhe programuar me minus ose me plus, po ky drejtor, ashtu si ka dashur vetë ai dhe miqtë e tij të këshillit të shkollës?!

Publikuar nga Publik Media