Dështojnë satelitët e Ramës? Agolli jep 2.7 mln € për pamje satelitore
Një tjetër tender me vlerë miliona euro për fotografim satelitor ka ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin real të satelitëve shqiptarë “Albania 1” dhe “Albania 2”, për të cilët qeveria shqiptare pagoi 6 milionë euro.
Bëhet fjalë për një tender të zhvilluar më 26 janar 2026, me objekt “Fotografimi ajror dixhital i territorit të Shqipërisë dhe prodhimi i imazheve ajrore”, me vlerë kontrate 2.7 milionë euro. Fitues është shpallur kompania turke “Mescioğlu Mühendislik ve Müşavirlik A.Ş.”, me seli në Ankara, e lidhur me rrethin familjar të dhëndrit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.
Ky zhvillim vjen pavarësisht faktit se qeveria shqiptare, që në janar të vitit 2023, shpalli me bujë nisjen në orbitë të dy satelitëve “Albania 1” dhe “Albania 2”, të cilët sipas kryeministrit Edi Rama do të garantonin monitorim të plotë të territorit shqiptar.
Sipas premtimeve zyrtare, satelitët do të shërbenin për zbulimin e ndërtimeve pa leje, kontrollin e digave dhe urave, parandalimin e përmbytjeve dhe tërmeteve, monitorimin e pyjeve, zjarreve, bregdetit, si dhe për luftën kundër kultivimit të kanabisit. Megjithatë, deri më sot nuk ka asnjë informacion zyrtar, raport teknik apo provë publike që vërteton funksionimin real dhe efektiv të këtyre satelitëve.
Dokumentet e publikuara së fundmi tregojnë se, për të njëjtin shërbim që teorikisht duhet të ofrohet nga satelitët shtetërorë, qeveria ka lidhur një kontratë tjetër private me vlerë 2.7 milionë euro, duke ngritur dyshime për një shpenzim të dyfishtë të fondeve publike.
Tenderi është shpallur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe është firmosur nga drejtori i këtij institucioni, Dritan Agolli. Në garë kanë marrë pjesë edhe tre kompani të tjera, të cilat janë skualifikuar, ndërsa kontrata i është dhënë firmës turke, e cila rezulton e përfshirë në rrjete biznesi të lidhura ngushtë me pushtetin në Ankara.

Ky fakt shton dyshimet se procedura mund të jetë ndërtuar për të favorizuar një subjekt të paracaktuar, në vazhdën e një sërë kontratash të tjera të dhëna kompanive turke për rrugë, tunele, pajisje ushtarake, autoambulanca, dronë dhe armatime.
Thelbi i skandalit nuk qëndron vetëm te kriteret formale të tenderit, por te pyetja themelore: pse paguhet një tjetër shërbim fotografimi ajror, kur Shqipëria ka tashmë dy satelitë të paguar me 6 milionë euro për të njëjtin qëllim?
Që prej tetorit 2023, kur është kryer pagesa për satelitët, nuk është bërë publike asnjë pamje konkrete që të ketë ndihmuar realisht në parandalimin e zjarreve, përmbytjeve, ndërtimeve pa leje apo shkeljeve mjedisore. Pamjet e pakta të publikuara nga kryeministri kanë qenë simbolike dhe pa ndikim praktik, ndërkohë që ndërhyrjet shtetërore vazhdojnë të ndodhin vetëm pasi dëmi është kryer.
Kjo situatë lë të hapura dy skenarë shqetësues: ose satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” nuk janë funksionalë dhe pagesa për ta ka qenë fiktive, ose ato prodhojnë të dhëna që nuk përdoren qëllimisht, për të justifikuar kontrata të tjera private me vlera milionëshe.
Në të dyja rastet, kemi të bëjmë me një çështje që kërkon hetim penal, transparencë të plotë dhe një auditim të pavarur ndërkombëtar mbi përdorimin e fondeve publike dhe realitetin e projektit satelitor shqiptar./Pamfleti
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



