E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Detajet tronditëse: Rozalinda pa live vrasjen e prindërve të saj
Lajme

Detajet tronditëse: Rozalinda pa live vrasjen e prindërve të saj

Gazetari i kronikës Ervin Leka ka zbardhur detaje të reja nga ngjarja tronditëse e ndodhur në Vidhisht të Roskovecit, ku mbetën të vrarë çifti Kosta dhe Belere Plaku, të qëlluar me armë zjarri nga ish-dhëndri i tyre.

Sipas tij, hetimet paraprake tregojnë se ngjarja ka nisur pas një komunikimi telefonik nga 35-vjeçari Refit Buzi, ndërsa një nga elementët më të rëndë të kësaj ngjarjeje është fakti se vajza e çiftit ka qenë dëshmitare e drejtpërdrejtë e krimit. Ajo ka parë momentin kur prindërit e saj janë qëlluar nga ish-partneri, me të cilin kishte qenë e fejuar.

Pas aktit tragjik, e reja dyshohet se është marrë peng nga autori, duke u mbajtur nën kontroll për disa orë. Sipas komunikimeve me Policinë e Fierit dhe grupin negociator të RENEA-s, gjendja e saj ka qenë e rënduar, ndërsa dyshohet se është ushtruar dhunë ndaj saj si brenda banesës së prindërve, ashtu edhe gjatë transportimit drejt një zone malore, ku është mbajtur për rreth shtatë orë.

Burimet bëjnë me dije se vajza ka pësuar dëmtime fizike në fytyrë dhe në gjymtyrë, ndërsa pritet t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme mjekësore për të dokumentuar plotësisht gjendjen e saj. Sipas gazetarit, gjatë gjithë kohës autori ka shfaqur sjellje të dhunshme dhe agresive, pavarësisht pretendimeve të tij për rikthim në marrëdhënie me të.

Gjatë negociatave me forcat RENEA, 35-vjeçari ka përmendur edhe pretendime të natyrës financiare, duke deklaruar se kishte dërguar para drejt familjes së vajzës gjatë kohës që jetonte në Britaninë e Madhe. Megjithatë, këto pretendime konsiderohen të pajustifikuara dhe nuk lidhen me motivimin e një akti të tillë ekstrem.

Sipas Lekës, konflikti kryesor kishte në qendër kundërshtimin e babait të vajzës ndaj kësaj lidhjeje, për shkak të sjelljes problematike dhe shenjave të hershme të agresivitetit të autorit. Përplasjet mes tij dhe familjarëve kishin vijuar në kohë, duke e bërë marrëdhënien të tensionuar.

Gazetari thekson se Refit Buzi nuk ishte një emër i panjohur për autoritetet, pasi ndaj tij kishte pasur më herët denoncime për dhunë dhe referime në polici. Aktualisht, grupi hetimor po verifikon të kaluarën e tij, përfshirë edhe periudhën e qëndrimit në Britaninë e Madhe, ku dyshohet se mund të ketë qenë i përfshirë në veprimtari të paligjshme.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur opinionin publik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.