Detektivja tenton të heq përgjuesin e policisë nga shtëpia e kriminelit
Procedohet penalisht nga Policia e Shtetit
Policia e Shtetit ka proceduar penalisht një detektive private dhe një person tjetër, pasi dyshohet se kanë ndërhyrë në banesën e familjes së Erjon Llapushit në Pogradec, me qëllim kontrollin dhe heqjen e pajisjeve të mundshme të përgjimit të vendosura nga organet e hetimit.
Sipas burimeve zyrtare, detektivja private ka shkuar në banesë dhe ka kryer verifikime për të parë nëse ambienti ishte nën përgjim nga policia. Dyshohet se ajo është kontaktuar nga një person tjetër, i cili i ka siguruar lidhjen me familjen Llapushi dhe ka ndërmjetësuar ndërhyrjen.
Të dy personat janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa materialet hetimore janë referuar në prokurori. Detektivja private akuzohet për veprën penale të “pengimit të zbulimit të së vërtetës”.
Erjon Llapushi është një nga pesë personat më të kërkuar aktualisht nga Policia e Shtetit dhe ndodhet në kërkim prej më shumë se pesë vitesh.
Kush është Erjon Llapushi
Emri i Llapushit lidhet me një nga krimet më të rënda të ndodhura në Elbasan në tetor të vitit 2021. Më 2 tetor, në ambientet e një lokali, ai vrau kamarierin Gazment Kurmaku pas një konflikti për një tavolinë.
Sipas hetimeve, Llapushi e ka kapur viktimën nga fyti, e ka kërcënuar fillimisht me thikë dhe më pas e ka goditur me dhunë, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Më 17 korrik 2024, Prokuroria e Elbasanit kërkoi një dënim total prej 20 vitesh burg për Erjon Llapushin për veprën penale “vrasje me dashje”.
Ai ka një të kaluar kriminale të rëndë dhe më herët është dënuar apo hetuar për armëmbajtje pa leje, plagosje, tentativë vrasjeje, shtrëngim për dhënie pasurie, si edhe transportim të emigrantëve të paligjshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



