E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dhuna në Zvërnec, kompanive Myrto dhe Major Security u hiqet licenca
Lajme

Dhuna në Zvërnec, kompanive Myrto dhe Major Security u hiqet licenca

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vendosur heqjen e licencës për dy subjekte të shërbimit privat të sigurisë fizike, konkretisht “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”, pas shkeljeve të rënda të konstatuara gjatë një tubimi të zhvilluar më 30 maj 2026 në zonën e Portonovës, në Zvërnec.

Sipas njoftimit zyrtar, strukturat përgjegjëse për standardet profesionale dhe sigurinë publike kanë vijuar hetimet administrative me intensitet të lartë, me synim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive për veprimet dhe mosveprimet gjatë aktivitetit në fjalë. Në fokus të verifikimeve ka qenë edhe ligjshmëria e angazhimit të kompanive private të sigurisë nga pronari i objektit.

Nga kontrollet e kryera rezultoi se subjekti “Myrto Security 1.3A” kishte dështuar të zbatonte detyrimet bazë për garantimin e sigurisë së objektit. Konkretisht, mungonin procedurat për kontrollin e hyrje-daljeve, si dhe nuk administrohej asnjë regjistër për personat apo mjetet që hynin në ambient. Si pasojë, persona të paidentifikuar arritën të depërtonin brenda rrethimit, duke ndërhyrë në mënyrë të dhunshme gjatë tubimit.

Këta individë, pa asnjë atribut ligjor, ushtruan dhunë ndaj një protestuesi duke e goditur dhe tërhequr me forcë, çka solli pasoja fizike për të dëmtuarin. Po ashtu, u raportua se ndaj pjesëmarrësve u hodhën gurë dhe sende të forta nga brenda territorit të objektit. Pavarësisht situatës, punonjësit e sigurisë nuk ndërmorën asnjë veprim për neutralizimin apo largimin e personave të përfshirë në incidente.

Nga ana tjetër, shkelje serioze janë konstatuar edhe në subjektin “Major Security”. Një punonjës i licencuar i kësaj kompanie, në bashkëpunim me dy persona të tjerë të paautorizuar dhe të paregjistruar në strukturat e saj, ka kryer veprime arbitrare ndaj një protestuesi. Sipas hetimeve, ai e ka goditur me grusht dhe më pas e ka shoqëruar me forcë brenda rrethimit, duke tejkaluar kompetencat dhe duke shpërdoruar detyrën.

Në përfundim të hetimeve administrative, autoritetet kanë arritur në përfundimin se të dy subjektet kanë shkelur rëndë detyrimet ligjore që rrjedhin nga ligji për shërbimin privat të sigurisë fizike. Për këtë arsye, me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është marrë masa për heqjen e licencës së ushtrimit të aktivitetit për të dy kompanitë.

Ndërkohë, hetimet penale dhe administrative vijojnë për të gjithë personat e përfshirë në ngjarje, me qëllim vendosjen e plotë të përgjegjësive ligjore.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit

Iu hiqet licenca 2 subjekteve ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”.

Vijojnë intensivisht hetimet administrative nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti për Sigurinë Publike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për hetimin e plotë me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive në lidhje me veprimet dhe mosveprimet përgjatë tubimit të zhvilluar më datë 30.05.2026, në Portonovë, Zvërnec, si dhe për ligjshmërinë e subjekteve private për sigurinë fizike që janë kontraktuar nga pronari, për ruajtjen dhe sigurinë fizike të pronës në Portonovë, Zvërnec.

Në vijim të veprimeve administrative të kryera nga Departamenti për Sigurinë Publike, për vlerësimin e zbatimit të përgjegjësive ligjore nga subjektet ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje, konkretisht:

Subjekti ShPSF “Myrto Security 1.3A” nuk kishte marrë masat për sigurinë e objektit dhe nuk kishte zbatuar rregullat për regjimin e hyrjes dhe daljes së personave dhe mjeteve në objekt. Nga ana e këtij subjekti nuk administrohej lista e personave dhe mjeteve që lejoheshin të hynin në objekt. Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kritereve, më datë 30.05.2026, janë lejuar të hyjnë në brendësi të rrethimit, persona të paidentifikuar dhe të panjohur nga personeli i shërbimit.

Këta persona, gjatë tubimit, kanë ndërhyrë pa patur asnjë atribut ligjor dhe kanë goditur e tërhequr me forcë një shtetas pjesëmarrës në protestë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Gjithashtu, kanë reaguar kundër protestuesve me gurë dhe sende të tjera nga rrethimi i pronës. Ndaj këtyre shtetasve që kryen veprimet e dhunshme, punonjësit e ShPSF “Myrto Security 1.3A” nuk kanë kryer asnjë veprim parandalues apo për largimin e tyre.

Ndërsa punonjësi i licencuar i subjektit ShPSF “Major Security”, së bashku me dy persona të tjerë, të cilët u proceduan penalisht, dhe nga verifikimet rezultoi se dy të proceduarit nuk figuronin të regjistruar apo të licencuar nga subjekti SHPSF “Major Security”, kryen veprime arbitrare duke shpërdoruar detyrën dhe në tejkalim të kompetencave, pasi goditi me grusht një prej protestuesve, e morën me forcë dhe e çuan në brendësi të rrethimit duke i shkaktuar dëmtime trupore.

Në përfundim të hetimeve administrative, për shkeljet e konstatuara në të dy subjektet, ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, referuar ligjit “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të dy subjekteve iu hoq licenca për ushtrimin e këtij aktiviteti.

Hetimet penale dhe administrative vijojnë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.