Dhunohet ish-kryetari i PD Lezhë, i thyejnë këmbët dhe i presin veshin
Një ngjarje tronditëse është shënuar mbrëmjen e kaluar në qarkun e Lezhës, ku një ish-kreu Partisë Demokratike ka mbetur i plagosur rëndë pas një sulmi të dhunshëm.
53-vjeçari Sokol Toma, i cili më herët ka drejtuar strukturën e PD-së në njësinë administrative të Dajçit, në zonën e Zadrimës, është sulmuar nga persona të paidentifikuar në rrethana ende të paqarta.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në aksin rrugor Mamurras–Laç, në zonën e njohur si Sanxhak. Autorët, që dyshohet se kanë qenë të maskuar, e kanë goditur me sende të forta, duke ushtruar dhunë të rëndë fizike ndaj tij.
Si pasojë e sulmit brutal, 53-vjeçari ka pësuar dëmtime serioze, ku mësohet se i janë thyer të dyja këmbët dhe i është prerë një pjesë e veshit, çka tregon për ashpërsinë e agresionit.
Pas ngjarjes, autorët i kanë marrë edhe telefonin celular dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
I plagosuri është transportuar fillimisht për ndihmë të shpejtë mjekësore dhe më pas është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim më të specializuar. Aktualisht, ai ndodhet i shtruar në repartin e ortopedisë, nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, strukturat e policisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri tani, motivet e sulmit mbeten ende të panjohura.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



