Dhunoi nxënësin në klasë, procedohet penalisht mësuesi në Sarandë
Një mësues 58-vjeçar është vënë nën procedim penal pas publikimit të një rasti dhune ndaj një nxënësi gjatë procesit mësimor në Sarandë.
Sipas burimeve zyrtare, strukturat e Policisë në Sarandë kanë referuar materialet në Prokurori, duke nisur hetimet ndaj shtetasit me inicialet G.N., banues në fshatin Velhov. Ai ushtron detyrën si mësues në një shkollë 9-vjeçare në Finiq dhe dyshohet se ka keqtrajtuar një nxënës gjatë orës së mësimit.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. N., 58 vjeç, banues në fshatin Velhov, mësues në një shkollë 9-vjeçare në fshatin Finiq, pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një nxënës, gjatë orës së mësimit (Rasti u publikua në rrjete sociale)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ngjarja u bë publike fillimisht në rrjetet sociale, ku u shpërnda një video që tregonte momentin e incidentit. Pamjet, të cilat janë tashmë në duart e hetuesve, paraqesin mësuesin e Fizikës duke ushtruar dhunë fizike ndaj një të mituri brenda klasës.
Sipas dëshmive të nxënësve të tjerë, episodi ka ndodhur gjatë orës së mësimit, pasi një prej tyre kishte folur me zë të ulët me një shok banke. Reagimi i mësuesit, sipas tyre, ka qenë i menjëhershëm dhe i pajustifikuar, duke degraduar në përdorim force ndaj nxënësit.
Organet e akuzës kanë nisur mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të personave të përfshirë, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



