“Më shau, e shava”, reagon shefi i Komisariatit të Krujës
Elton Shahini thotë se incidenti ndodhi gjatë një dite pushimi, teksa po udhëtonte me motor drejt plazhit. Ai pretendon se drejtuesi i automjetit e goditi me pasqyrë dhe më pas pati një përplasje verbale mes tyre.
Shefi i Komisariatit të Policisë së Krujës, Elton Shahini, ka reaguar pas publikimit të pamjeve të një incidenti rrugor ku ai është përfshirë gjatë ditëve të fundit të korrikut 2026.
Pamjet, të cilat u bënë virale gjatë ditës së sotme, kanë nxitur reagime lidhur me përplasjen mes Shahinit dhe drejtuesit të një automjeti.
Në reagimin e tij, Shahini sqaron se në momentin e incidentit nuk ishte në detyrë. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur gjatë fundjavës, në një ditë pushimi, teksa ai po udhëtonte me motor në drejtim të plazhit.
Shahini pretendon se drejtuesi i automjetit që shfaqet në pamjet e publikuara po kryente manovra të rrezikshme dhe, gjatë kalimit pranë tij, e ka goditur me pasqyrën e makinës.
“Ka qenë fundjavë, ditë pushimi zyrtare. Kam qenë duke shkuar në plazh, isha duke ecur me motor, isha në punën time. Në ato momente, shoferi që duket në video ka qenë duke ecur në mënyrë të papërgjegjshme në rrugë dhe bënte manovra të rrezikshme. Kur më ka kaluar pranë, më ka goditur me pasqyrë”, deklaroi Shahini.
Pas këtij momenti, sipas shefit të Komisariatit të Krujës, situata është përshkallëzuar në një konflikt verbal.
“Më shau, e shava”, tha Shahini, duke përshkruar komunikimin mes tij dhe drejtuesit të automjetit pas incidentit.
Shahini mohon ndërkohë të ketë kërcënuar apo ushtruar dhunë fizike ndaj personit tjetër.
“Nuk e kam kërcënuar dhe as kam ushtruar dhunë fizike”, deklaroi ai.
Shefi i Komisariatit të Krujës ka theksuar gjithashtu se, pavarësisht funksionit që mban në Policinë e Shtetit, në momentin e incidentit nuk ka përdorur autoritetin e tij zyrtar.
Sipas versionit të tij, ai ka qenë jashtë orarit të punës dhe me rroba civile, ndërsa pretendon se nuk e ka përdorur postin për të ndikuar në situatë apo për të intimiduar personin tjetër.
“Pavarësisht dhunës fizike dhe fyerjeve ndaj meje, në asnjë moment nuk kam përdorur autoritetin tim zyrtar, nuk kam kërcënuar me postin që mbaj dhe nuk jam përgjigjur me dhunë fizike”, u shpreh Shahini.
Incidenti dhe pamjet e publikuara vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes, ndërsa versioni i shefit të Komisariatit të Krujës për ngjarjen ndryshon nga mënyra se si ajo është interpretuar pas publikimit të videos.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



