Dhunuan kambistin dhe i morën 5 milionë lekë, Policia shoqëron katër të rinj
Policia e Sarandës ka shoqëruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës katër persona, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në grabitjen e dhunshme të kambistit 70-vjeçar Ibrahim Didani. Ngjarja ndodhi një natë më parë, 7 maj, ku autorët, që sipas policisë kanë qenë tre persona, mundën t’i marrin kambistit 5 milionë lekë të vjetra.
Burime për Panorama.al bënë me dije se të katër të shoqëruarit janë të rinj dhe po merren në pyetje lidhur me ngjarjen.
Sipas informacioneve, policia është afër identifikimit të autorëve të grabitjes.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar, ndërkohë që kambisti po ngjitej për në banesë përmes ashensorit.Ai u sulmua nga tre persona, dy djem dhe një vajzë, të cilët pasi e kanë goditur kanë mundur t’i marrin shumën 5 milionë lekë të vjetra.Kambisti mori goditje në pjesë të ndryshme të trupit dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



