Digjet nga flakët bujtina turistike në Librazhd
Një incident i rëndë është regjistruar gjatë natës në fshatin Dorëz, pjesë e Njësisë Administrative Qendër në Librazhd, ku një bujtinë është përfshirë nga flakët, duke pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas të dhënave zyrtare, policia është njoftuar për zjarrin rreth orës 22:46. Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, policia dhe banorë të zonës, të cilët u angazhuan për neutralizimin e flakëve.
Në operacion morën pjesë 12 efektivë zjarrfikës me dy mjete, të cilët punuan për disa orë në kushte të vështira, deri në shuarjen e plotë të zjarrit rreth orës 03:00 të mëngjesit të 10 prillit.
Hetimet paraprake tregojnë se shkaku i mundshëm i zjarrit lidhet me një defekt në rrjetin elektrik të amortizuar, ndërsa përhapja e shpejtë e flakëve është favorizuar nga struktura prej druri e objektit.
Si pasojë e zjarrit janë djegur rreth 80 metra katrorë të bujtinës, përfshirë ambientet e kuzhinës, dhomës së gjumit dhe tualetit. Objekti përdorej për aktivitet turistik.
Fatmirësisht, nga kjo ngjarje nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



