Dihet që Rama nuk ka limit, por a ka SPAK-u limit përballë Ramës?
Ron Yeffet, njeriu që mori me koncesion pothuajse gjithë shtetin, e zhyti Edi Ramën në një skandal me përmasa të paprecedenta.
Ajo që përbën lajm në historinë e Ron Yeffet është përmasa e skemës.
Në përgjimet e publikuara nga Arben Ahmetaj, Ron Yeffet nuk flet si një investitor që i paraqet shtetit një ofertë korruptive, nga ato që oligarkët tanë kryejnë rëndom me Ramën. Ai flet si pronari i Shqipërisë — më saktë, si njeriu i pronarit, Ramës — që është aq “zemërmirë”, sa i lë shtetit tonë një përqindje të vogël nga pasuria e Shqipërisë.
Kemi një person privat që negocion përqindjet e pasurive shtetërore, përcakton se cili institucion do të përdoret si mburojë, cakton zyrtarin që do të mbajë kontaktet dhe diskuton vendimet e Këshillit të Ministrave sikur të ishin procedura administrative të kompanisë së vet.
“Ne do të jemi 80 për qind. Qeveria do të ketë 10 ose 20 për qind.”
Në këtë fjali gjendet e gjithë filozofia e modelit Rama–Yeffet: Shqipëria vendos pasurinë, territorin, infrastrukturën, monopolin, klientin dhe paratë; privati merr kontrollin, fitimin dhe shumicën e aksioneve.
Shteti nuk është më autoriteti që kontrakton biznesin, por është shndërruar në biznesin që kontraktohet nga Edi Rama dhe Ron Yeffet. Një kapje dhe zhvatje shtetërore me përmasa që të kujtojnë regjimin komunist të para vitit 1990.
Formula 80 me 20
Skema, që në pamje të parë duket e komplikuar, në të vërtetë është tepër e thjeshtë:
Shteti krijon një ndërmarrje publike. Në rastin e industrisë ushtarake, kjo ndërmarrje quhet KAYO.
KAYO më pas krijon një kompani të përbashkët me një privat. Por shteti nuk merr shumicën. Ai mban vetëm 20 për qind, ndërsa privati kontrollon 80 për qind.
Pas kësaj, shteti shqiptar bëhet klienti kryesor i kompanisë ku vetë zotëron vetëm pakicën.
Me fjalë të thjeshta, skema funksionon kështu:
- Qeveria krijon nevojën publike.
- Qeveria cakton kompaninë shtetërore që do të negociojë.
- Kompania shtetërore zgjedh privatin.
- Privatit i jepet 80 për qind e shoqërisë së re.
- Institucionet publike blejnë nga kjo shoqëri.
- Paratë dalin nga buxheti i shtetit.
- Fitimi kontrollohet kryesisht nga privati.
Formula është politikisht dhe ekonomikisht shkatërruese. Nga sa kam kërkuar në internet, nuk besoj se është zbuluar një skemë e tillë as në Afrikë, as në Bangladesh, askund tjetër përveç “Albanistanit” të Edi Ramës dhe Ron Yeffetit.
Nëse nënkontraktimi kryhet brenda kësaj skeme mafioze, pa tender të hapur, krijohet një burim i pakufizuar për transferimin e fondeve publike jashtë konkurrencës normale, drejt xhepave të Ron Yeffetit dhe Edi Ramës.
Në audiopërgjim, Yeffet shprehet se “Rama e ka marrë për punët e pista”. Po SPAK-un, për çfarë e kemi ngritur ne?
Ramës ia dimë kufirin. Nuk shtrohet më pyetja se deri ku është i gatshëm të shkojë. Të gjithë ia dimë përgjigjen: No Limit!
Rama nuk ka kufij moralë, politikë apo institucionalë të vetimponuar. Kufiri i tij i vetëm duhet të jetë forca e institucionit që guxon t’i thotë “ndal”: SPAK-u.
Prandaj, çështja Yeffet është provë vendimtare për SPAK-un.
SPAK-u nuk ka përpara një akuzë të zakonshme politike. Ka:
- regjistrime audio;
- emra dhe kompani konkrete;
- përqindje të përcaktuara;
- vendime qeveritare;
- pagesa nga thesari;
- prona shtetërore;
- marrëveshje në sektorin e mbrojtjes;
- zyrtarë të identifikueshëm;
- kontrata ndërkombëtare;
- pretendime për trafik armësh;
- procese gjyqësore jashtë Shqipërisë;
- një marrëdhënie të dokumentuar ndërmjet biznesmenit dhe kryeministrit.
Hetimi nuk mund të kufizohet te roli i Ron Yeffetit. Ai duhet të shkojë deri te Edi Rama. Në të kundërt, le ta mbyllin qepenin!
Duhet të sekuestrohen komunikimet e Yeffetit me zyrtarët shqiptarë. Duhet të kontrollohen kontratat e KAYO-s, TIMAK Defence dhe Advanced Arms Technology. Duhet të ndiqen pagesat e thesarit dhe të verifikohen importet, eksportet, numrat serialë të armëve, vendet e origjinës dhe certifikatat e përdoruesit fundor. Duhet të zbardhen vendimet për Delvina Gas, TEC-in e Vlorës, rezervat e naftës dhe çdo pasuri tjetër e diskutuar në përgjime.
Por, mbi të gjitha, duhet të merret në pyetje Edi Rama!
Kjo është beteja më vendimtare e SPAK-ut me Ramën, prova e zjarrit për të vërtetën.
Më poshtë kam paraqitur skemën që del nga audiopërgjimi i publikuar nga Ahmetaj. E kanë analizuar profesionalisht edhe shumë ekonomistë dhe gazetarë të tjerë, por e solla sepse realisht nuk gjej dot asnjë justifikim për të mos shkuar drejtpërdrejt te Edi Rama.
Si u vendos Yeffet mbi industrinë ushtarake
- Në qershor 2025, Ron Yeffet bleu 49 për qind të TIMAK-ut të Arjeta Pucës për një çmim nominal prej vetëm 490 eurosh. Tallje me shqiptarët!
- Vetëm pak ditë më parë, qeveria kishte autorizuar KAYO-n të negocionte partneritetin për prodhimin dhe furnizimin e mjeteve ushtarake.
- Më pas u krijua TIMAK Defence:
- 80 për qind në pronësi të TIMAK-ut;
- 20 për qind në pronësi të KAYO-s.
Duke zotëruar 49 për qind të TIMAK-ut, Yeffet kontrollon në mënyrë të tërthortë rreth 39,2 për qind të TIMAK Defence. Por fuqia e tij reale nuk matet vetëm me përqindjen formale. Ajo matet me kontrollin mbi ortakun privat që mban 80 për qind të kompanisë dhe me marrëdhënien e drejtpërdrejtë që Yeffet ka me majën e qeverisë.
Në të njëjtën mënyrë u krijua edhe Advanced Arms Technology:
- 80 për qind nga UNO18, kompania e Yeffetit;
- 20 për qind nga KAYO.
Kështu, një biznesmen privat u vendos njëkohësisht brenda dy arterieve kryesore të industrisë së re ushtarake shqiptare:
- mjetet dhe pajisjet ushtarake;
- armët, municionet dhe dronët.
Shteti shqiptar solli licencat, territorin, asetet ushtarake, tregun e garantuar dhe paratë e buxhetit. Yeffet solli kompanitë.
Edi Rama dhe Roni morën kontrollin e miliona eurove çdo muaj!
Në modelin KAYO, shteti merr përsipër rrezikun politik, financiar dhe të sigurisë kombëtare, ndërsa privati kontrollon pjesën më të madhe të përfitimit.
Paraja publike hyn pa garë dhe shndërrohet në fitim privat.
Pra, KAYO përdoret si një urë:
Buxheti i shtetit → ndërmarrja publike → kompania 80% private → fitimi privat.
Anashkalohet gara që do të zhvillohej në një procedurë normale prokurimi dhe çmimin nuk e përcakton tregu, por marrëdhënia me pushtetin e Edi Ramës.
Nga KAYO te Delvina: e njëjta maskaradë
Në bisedat e publikuara diskutohet edhe Delvina Gas. Yeffet përmend një strukturë ku pala private do të merrte 80 ose 90 për qind, ndërsa qeverisë do t’i mbeteshin 10 ose 20 për qind.
Ai thotë se vetë nuk mund të figuronte formalisht në marrëveshje. Përmend kalimin e çështjes në Këshillin e Ministrave dhe Ermal Nufin si personin që do të mbante kontaktet me palët.
Në gjuhë të thjeshtë, skema është kjo:
- Identifikohet një pasuri strategjike shqiptare.
- Krijohet një konflikt, transferim ose ristrukturim pronësie.
- Ndërtohet një kompani ku shteti shfaqet si ortak.
- Shteti përdoret si garanci politike dhe juridike.
- Kontrolli ekonomik i lihet privatit.
- Personi realisht i interesuar nuk shfaqet domosdoshmërisht në dokumentet formale.
- Vendimi vuloset nga qeveria.
Kjo shpjegon edhe shprehjen e përdorur në bisedë: nuk do të quhej domosdoshmërisht KAYO, por do të përdorej “i njëjti koncept”.
Pra, KAYO nuk është vetëm emri i një kompanie. Është një metodë qeverisjeje. Janë dhëmbët e Edi Ramës si vampir mbi gjakun tonë!
Por kujdes!
Sot metoda përdoret në industrinë ushtarake. Nesër mund të përdoret te gazi, nafta, aeroportet, shëndetësia, portet apo rezervat strategjike.
Trafiku i armëve dhe Shqipëria si territor paketimi
Akuza më e rëndë e Ahmetajt është se armë të ardhura nga vende afrikane futen në Shqipëri, paketohen ose rietiketohen këtu dhe më pas dërgohen drejt zonave të konfliktit.
Në këtë skemë, Shqipëria nuk përdoret si prodhuese reale armësh, por si territor tranziti dhe transformimi të origjinës së tyre.
Skema pretendohet se funksionon kështu:
- Armët blihen në një treg ose shtet afrikan.
- Dokumentacioni fillestar i transportit i paraqet si mall për Shqipërinë.
- Ngarkesa futet në një kompani të licencuar ose të lidhur me industrinë shtetërore.
- Armët paketohen, montohen, përshtaten ose pajisen me dokumentacion të ri.
- Origjina tregtare bëhet më e vështirë për t’u gjurmuar.
- Lëshohet një certifikatë tjetër e përdoruesit fundor.
- Ngarkesa eksportohet në një shtet të tretë ose në një zonë konflikti.
- Diferenca ndërmjet çmimit të blerjes dhe atij të shitjes ndahet mes ndërmjetësve.
Pikërisht këtu partneriteti me një ndërmarrje shtetërore bëhet jetik. KAYO nuk siguron vetëm ambiente. Ajo i jep operacionit vulën e Republikës së Shqipërisë, një vend anëtar i NATO-s.
Një shtet i NATO-s shndërrohet në mburojë reputacionale, diplomatike dhe dokumentare për persona si Ron Yeffet.
Këtu nuk po flasim vetëm për korrupsion. Pretendimi është se Edi Rama ka përdorur pozitën e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s për t’i dhënë legjitimitet një rrjeti privat të tregtisë ndërkombëtare të armëve.
Ron Yeffet mori shtetësinë shqiptare në vitin 2018. U shfaq në shoqërinë që kontrollonte një pjesë të Air Albania. Kishte akses privat tek Edi Rama dhe organizonte takime me të në Paris. Lëvizte në Shqipëri me autokolonë dhe siguri të armatosur. U premtonte partnerëve të huaj se mund t’u siguronte edhe pasaporta shqiptare.
Më pas u shfaq në energji, naftë, aviacion dhe industri ushtarake.
Rama nuk mund të fshihet pas KAYO-s, ministrit të Mbrojtjes apo administratorëve të kompanive.
KAYO është krijuar nga qeveria e Partisë Socialiste. Partneritetet janë autorizuar nga qeveria e drejtuar prej Edi Ramës. Pasuritë shtetërore administrohen nga vartësit e tij. Ron Yeffet ka marrë shtetësinë shqiptare gjatë pushtetit të Ramës dhe e ka përdorur marrëdhënien me të për të krijuar autoritet përpara investitorëve të huaj.
Zyrtari që shfaqet në përgjime si pikë kontakti ka qenë në Kryeministri, në drejtimin e KAYO-s dhe më pas në Ministrinë e Mbrojtjes.
Prandaj, pyetja “A dinte Edi Rama?” është tallje me publikun.
Pyetja e vërtetë është: Si mund të ndërtohej e gjithë kjo pa Edi Ramën?
Nuk ka asnjë mundësi. Zero!
Nuk mund të krijosh kompani ushtarake me shtetin, të marrësh prona strategjike, të negociosh për gazin, naftën, TEC-in dhe furnizimet e ushtrisë, të diskutosh vendimet e Këshillit të Ministrave dhe të kesh pikën e kontaktit në Kryeministri, ndërsa kryeministri të mos dijë asgjë.
Si përkrahës i palëkundur i SPAK-ut, them se këtu ndodhet vija e tij e zjarrit: ose fiton drejtësia, ose fitojnë Rama dhe Ron Yeffet!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



